×
Secondary Adv

Po mendoni per dhuratat e fundvitit ?! Ja disa ide...

Share on Google+

 

Mund të keni kaluar një vit me shumë punë, e mbase edhe me shumë probleme financiare, por tani është periudha të nxitoni për të mbyllur bilancet tuaja, sa më shumë detyrime, duke lënë mënjanë disa para që duhet të përdorini për atë që ngroh zemrën e vatrën tuaj festive, dhuratat. Janë pikërisht këto që e përsërisin magjinë çdo vit.

 

 

Është momenti më i mirë për të bërë dhurata. Sigurisht dhuratat e mëdha me vlerë e luksoze janë të mirëpritura, por kushtet ekonomike për shumë prej shqiptarëve nuk do të mund ta lejojnë një gjë të tillë. Ndaj ju sugjerojmë që këtë vit, t’i jepni edhe më shumë rëndësi shprehjes “Mjafton mendimi”, dhurata të vogla, simbolike, të personalizuara, sa më origjinale e të thjeshta. Kështu jini me këmbë në tokë, e me xhepat jo plotësisht të boshatisur.

Me këtë artikull do t’ju ndihmojmë të gjeni zgjedhjet më origjinale, që të mos lodheni duke kërkuar ide për dhurata, ndonëse nuk duam t’ua heqim këtë kënaqësi nëse keni kohë. Pikësëpari dhuratat nuk duhet të kthehen në një stres për ju. Merreni me qetësi duke kujtuar njëkohësisht se nuk keni shumë kohë në dispozicion. Dhjetëra ide qarkullojnë në kokë për dhuratën ideale. Por, zgjedhja mund të bëhet e thjeshtë nëse dini preferencat e të dashurit apo të afërmit që do t’i bëni dhuratë.


Udhëtime

 

Një ide vërtet e veçantë dhe që po lakmohet gjithnjë e më shumë janë paketat e udhëtimeve apo fundjavat surprizë për të kaluar natën e ndërrimit të viteve në një vend të qetë të bukur. Kjo është një dhuratë që zakonisht nuk del jashtë familjes. Ofertat e agjencive këtë fundvitit, si për Krishtlindje, edhe për Vitin e Ri, janë në destinacionet e afërta. Qyteza dimërore në Mal të Zi apo Maqedoni. Ofertat më të specializuara vijnë shumë agjensi dhe për qëndrimet dyditore luhaten 100-150 euro për person.


Dekore për shtëpinë

 

Mes dhuratave të Vitit të Ri nuk mund të mungojnë zbukurimet e personalizuara. Një ide fantastike mund të jetë diçka për shtëpinë, dekorime zbukuruese për dritaret ose edhe qëndisje me punim kryq me temë festive. Destinacioni i thjeshtë për arritur te to janë qendrat tregtare. Çmimet janë modeste dhe një mënyrë e mirë për t’u zgjedhur nga ato që e kanë në plan të bëjnë shumë dhurata.


Dhurata teknologjike 

 

Produktet e teknologjisë duket se nuk do të dalin kurrë nga moda e dhuratave. Të preferuara janë mbi të gjitha pajisjet e sapodala nga fabrikat e teknologjisë. Edhe ata që nuk bëjnë dot pa tabletë e aksesorë hi-tech, janë gjithnjë e më të shumtë. Por, sugjerimi për këtë fundvit nuk është për produktet më të shtrenjta. Celulari Huawei Smartphone Ascend Y330 ju kushton më pak se 9 mijë lekë dhe mund ta gjeni kudo. Po këtu mund të zgjidhni edhe Tablet-in Huawei Mediapad Youth 2 për 14,990 lekë.


Për miqtë e vështirë
Nëse kthehet në një problem dhurata për mikun apo shoqen tuaj, zgjidhja më e drejtë janë trajtimet relaksuese, banja termale apo një pazar “i vogël” në dyqane të paracaktuara më parë nga ju.


Për meshkujt


Nëse kërkoni dhurata për meshkuj, zgjedhjet nuk janë edhe aq të kufizuara. Gjithsesi, kujdesuni që të dhuroni diçka që ka lidhje me personalitetin e njerëzve tuaj të dashur. Një këmishë e cilësisë se lartë, apo një triko kashmir do t’i dhuronte buzëqeshjen e mikut tuaj.


Aksesorë

 

Aksesorët janë dhuratë gjerësisht e përdorshme. Mes familjes, të afërmve, apo miqve. Femrave nuk u mjaftojnë asnjëherë çantat, varëset e madje edhe shallet, të cilët duhen kombinuar me aksesorët e tjerë. Mundësi më të mëdha zgjedhjeje keni mes varëseve. Të stileve të ndryshme dhe me çmime të ndryshme.  Për vajzat që duan të bien në sy, ka varëse luksoze që kushtojnë 3500 lekë, ndërsa për varëset më trendy, mund të shpenzoni 1500 lekë. Për një shall të bukur ju duhet të shpenzoni 2500 lekë.

 

Dhuratat për fëmijët 


Tre janë llojet e dhuratave më të mira për fëmijët. Nëse dhuroni një kafshë, do të shihni që gëzimi i tij, e “mbyt” edhe stepjen më të madhe të prindit që nuk do më tepër angari në shtëpi.Në dyqanet e kafshëve, kanarinat, macet e këlyshët e qenve, janë një dhuratë që mund ta siguroni edhe brenda vlerës 7 mijë lekë.

 


Por një dhuratë e këndshme janë aksesorët për fëmijë. Mund të zgjidhni një kapuç për djem apo për vajza me një vlerë gati 1900 lekë. Edhe një shall për ta kushton po kaq, ndërsa dorezat janë një dhuratë më e lirë. Dorezat për vajza kushtojnë 990 lekë dhe ato për djem 1190 lekë.

 


Një tjetër dhuratë e pakontestueshme nga fëmijët janë lodrat. Ne do t’ju sugjeronim lodrat prej druri, me ngjyra. Puna me to siguron aftësi zhvilluese, një dhuratë e shëndetshme dhe e sigurt.


Kozmetikë


Paketa e linjës së tualetit mund të jetë një dhuratë me shumë efekt. Keni një mikeshë që është e pasionuar pas kremrave të syve? Atëherë mund t’i dhuroni Absolue L’Extrait Baume-Elixir Yeux Rigenerante Supremo të Lancôme. Mes parfumeve, Dolce & Gabana , Chanel Coco Noir, është një fragrancë chic dhe misterioze për të gjithë ato që preferojnë parfumet me aromë orientale. Një zgjidhje tjetër është Liz Earle, me produkte të preferuara nga yjet britanike.

 

Bëhet fjalë për produkte trajtimi të fytyrës, duarve dhe trupit, të cilat mund t’i përdorni çdo ditë. Një përzgjedhje e studiuar për tipat më vanitozë. Koleksioni i Tom Ford Private Blend Oud Fragrance, pasuron gamën Private Blend me produkte tualeti shumë elegante. Për të befasuar meshkujt finë mund t’i drejtoheni parfumerisë së nivelit të lartë, siç është ajo e realizuar nga laboratori Le Labo, Jus mai banali, tek e cila mund të “nuhasni” punën e madhe për të realizuar këtë esencë. Ata që janë të pasionuar pas aromave nostalgjike mund të provojnë edhe kolonjën. Ajo më e mira është Acqua di Colonia 4711. Ndërsa për të gjithë ata që dëshirojnë të përjetojnë të tashmen mund të zgjedhin si dhuratë Burberry Brit Rythm, një koktej aromash që frymëzon adrenalinë dhe eufori.


Trajtime estetike

 

Kujt nuk do t’i pëlqente një trajtim estetik, në çdo kohë të vitit, e për më tepër në prag të festave, kur duam të dukemi më të bukur, në formë, e të relaksuar pavarësisht punës. Trajtimet e fytyrës, masazhet e trupit dhe kurimi i thonjve janë më të kërkuarat nga femrat, sipas menaxherëve të qendrave estetike. Dhe kur flasim për trajtim fytyre apo masazh trupi, kemi parasysh edhe interesin e rritur të meshkujve.


Gjithsesi, trajtimet estetike si dhuratë u adresohen kryesisht femrave. Nëse partnerja juaj po kërkon të dobësohet, nuk duhet t’i ketë dhuratë nga ju seancat e dobësimit. Mund t’i dhuroni shumë një masazh relaksues, duke treguar që jeni të interesuar më shumë për mirëqenien e saj e nuk ju shqetësojnë kilogramët e tepërt. Të tilla masazhe, ofron pothuajse çdo qendër estetike dhe nuk e kalojnë vlerën e 40 eurove.


Më të lexuarat