Nike do te nxjerre ne treg atletet Back to the future
Të gjithë e kemi parë filmin e famshëm Back To The Future II, ku personazhi kryesor Marty McFly, i luajtur nga aktori Michael J. Fox, vesh në një palë atlete Nike, të cilat përshtaten me këmbën e tij automatikisht. Së fundmi Nike ka konfirmuar se ka në plan që në fund të këtij viti, këto atlete t’i nxjerrë në treg për të gjithë konsumatorët.
Filmi “Back to the Future-Part II” ka bërë disa parashikime të çuditshme se çfarë do të na sjellë viti 2015, duke na treguar për makina fluturuese dhe shpikje tjera.Nuk do t’ju duhet më që të uleni dhe të lidhni këpucët tuaja sepse Nike ka gjetur një mënyrë ideale. Kompania e madhe e atleteve po planifikon të nxjerrë në 2015 atletet vetë-lidhëse.
Tinker Hatfield, dizajner këpucësh në Nike, ka synim t’i kthejë disa prej fantazive në realitet, duke thënë se atletet vetë-lidhëse të personazhit Marty McFly, mund të jenë të mundshme. Gjatë një evenimenti që u mbajt në New Orelans, për përgatitje të lojës NBA-All Star, një i pranishëm pyeti z.Hatfield nëse do të mund t’i shohim ato në vitin 2015 , Hatfield u përgjigj: “Unë mendoj se Po!” Kjo nuk është hera e parë që Nike tenton t'i kthejë në realitet këto atlete të famshme. Në vitin 2011, kompania zbuloi produktin e ri Nike Mag Air. Nuk kishte lidhëse që lidheshin vetë, por atletet për nga dukja ishin shumë të ngjashme me ato që janë në film.
Nike i prodhoi vetëm 1.500 palë dhe i hodhi në ankand, dhe të hollat e grumbulluara u dhanë si donacion fondacionit të aktorit Michael J.Fox, i cili merret me kërkime mjekësore për sëmundjen e Parkinsonit. Michael J.Fox është protagonisti i trilogjisë “Back to the Future”. Ai e braktisi karrierën në film për shkak të paraqitjes së kësaj sëmundjeje.
Atletet, të cilat janë pothuajse njësoj si atletet që ishin tek filmi i vitit ’80, nuk kishin lidhëse që lidhen vetë, por gjithsesi shkëlqenin falë baterisë që karikohej. Hatfieldi nuk ka dhënë asnjë detaj nëse lidhëset e fuqishme do të jenë bashkuar tek atletet McFly, apo do të krijojnë një palë atlete të tjera posaçërisht për blerësit.
“Si mund të jenë vallë atletet që lidhen vetë?- me këtë pyetje e mbyll fjalimin Hatfieldi, duke lënë imagjinatën të punojë. Reagimi i parë nga përdoruesit ka qenë i mirë. Gjithsesi gjatë këtij vitit do të marrim më shumë informacion për sa i përket këtyre atleteve të çuditshme.