Arabia Saudite po nderton nje mur 1000 kilometra per tu mbrojtur nga ISIS
Muri i Madh Kinez duket se është bërë frymëzim edhe për shtetet e tjera, me qëllimin e vetëm mbrojtjen e pasurive kombëtare. Së fundmi është Arabia Saudite, e cila po ndërton një barrierë me një gjatësi 1 mijë kilometra, që do të sigurojë kufirin verior me Irakun.
Sipas agjensisë së lajmeve Daily Mail, qëllimi i këtij ndërtimi gjigand është mbrojtja e territoreve të pasura me naftë të Arabisë Saudite nga një pushtim i mundshëm nga Shteti Islamik. Rrethimi nga Jordania deri në Kuvajt do të ketë 78 kulla mbikëqyrëse, 8 qendra të komandë, 32 qendra të reagimit të shpejtë, 3 skuadra speciale dhe 10 automjete mbikëqyrëse.
Mbreti i Arabisë Saudite, Abdullah bin Abdulaziz al-Saud inauguroi fazën e parë të projektit të sigurisë kufitare në shtator, menjëherë pas kryengritjes sunite të Shtetit Islamik që përfshiu të gjithë Irakun. Një javë më parë , dy roje kufitare të Arabisë Saudite dhe një oficer mbetën të vrarë pas një sulmi vetëvrasës, i cili është cilësuar si sulmi i parë i ISIS në këtë shtet. Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin që ndodhi në një zonë të largët nga qendrat e banuara në Arabinë Saudite, por shumë pranë me provincën Anbar të Irakut.
Barriera mbrojtëse do të jetë e përbërë nga dy rrethime me rrjeta, me hapësirë ndërmjet tyre për të lejuar patrullimin e kufirit. Gjithashtu do të ketë edhe radarë të fuqishëm që mund të zbulojnë individët deri në një largësi prej 12 miljesh dhe automjetet në një largësi prej 24 miljesh. Shteti Islamik i sheh lidhjet e Arabisë Saudite me Perëndimin si tradhti të Islamit dhe ka bërë thirrje për sulme kundër forcave saudite të sigurisë. Arabia Saudite i është bashkuar koalicionit kundër Shtetit Islamik të udhëhequr nga SHBA-ja, duke marrë pjesë në sulmet ajrore ndaj ISIS.