Gjermania do te filloje ndertimin e korsive per makinat pa shofer
Gjermania do të jetë vendi i parë në botë që do të ketë një korsi të posaçme për lëvizjen e makinave pa shofer. Kjo do të bëhet e mundur pas pajisjes së korsisë me të gjithë infrastrukturën e nevojshme për këtë qëllim.
Këtë e ka bërë me dije ministri gjerman i transportit Ingo Strater, i cili ka deklaruar se bëhet fjalë për një segment me një gjatësi të konsiderueshme, që do të lidhet me autostradën A9, që lidh kryeqytetin Berlin me Mynchen.
“Ky përbën një objektiv te industrisë automobilistike gjermane, dhe në duhet që ta mbështesim pa mëdyshje këtë risi”, tha ministri gjerman. Sipas tij, faza e parë do të lidhet me adaptimin dhe përshtatjen e të gjithë infrastrukturës rrugore dhe sinjalistike, përfshi sensorët, sistemet e matjeve, regjistrimit, etj, të cilat do të bashkëveprojnë me makinën ndërsa ajo ndodhet në lëvizje. Sipas parashikimeve, makinat e para të ndërtuara për të siguruar lëvizjen pa shofer do të qarkullojnë në këtë segment të autostradës Berlin – Mynchen brenda fundit të këtij viti.
Njoftimi është bërë me dije edhe nga Bloomberg, dhe arrin vetëm pak ditë pas zhvillimit të panairit ndërkombëtar CES në Las Vegas, ku makinat gjermane Audi dhe Mercedes erdhën me zhvillimet me të fundit të tyre në konceptin e makinave pa shofer.
Ndërkohë që Audi, prezantoi një makine A7 në të cilën, disa gazetarë mundën të shkëmbejnë vendet ndërmjet tyre ndërsa makina ishte në lëvizje në një segment rrugor qe lidh Silikon Valley-n me Las Vegas-in, gjithsej 900 km, ndërkohë që Mercedes prezantoi makinën e saj F015 Concept, e cila do të jetë pa shofer.