Aeroporti me i madh ne bote do te ndertohet ne Pekin
Kina së shpejti do të mund të jetë shtëpia e terminalit më të madh në botë nëse Zaha Hadid Architects përmbush planet e saj.
Arkitektët kanë zbuluar kohët e fundit projektin e tyre për një aeroport të ri në Pekin, por kësaj radhe me përmasat më të mëdha në botë. Zaha Hadid Architects ka hartuar projektin në bashkëpunim me ADP INGENIERIE të Francës, kompani e cila do të mbikëqyrë ndërtimin e aeroportit.Terminali është pjesë e një aeroporti të ri të planifikuar në rrethinat jugore të qarkut të Daxing në Pekin, i cili do të ketë formën e një yll deti gjigand. Madhësia e saktë e terminalit nuk dihet për momentin, por sipas firmës mendohet se do të jetë aeroporti më i madh në botë. Është raportuar se do të jetë rreth 700.000 metra katrorë, sa 100 fusha futbolli! Ndërkohë që sipas parashikimeve mendohet të jetë gati në 2018 dhe do të ketë një kosto prej 13.8 miliardë dollarësh.
“Fillimisht terminali do të akomodojë 45 milionë pasagjerë në vit, por mund të përballojë një fluks deri në 100 milionë pasagjerë si dhe do të jetë i adaptueshëm në mënyrë që të veprojë me konfigurime të ndryshme që varen nga madhësia e aeroplanëve dhe trafiku i pasagjerëve”, deklaroi Zha në një njoftim për shtyp.
Sipas arkitektëve, terminali do të ketë një plan urbanistik fleksibël që do të lejojë që të përshtatet me konfiguracione të ndryshme. Gjithashtu do të jetë i lidhur me shërbimet hekurudhore lokale dhe kombëtare, duke përfshirë hekurudhën me shpejtësi të lartë Gao Tie. Është thënë gjithashtu se aeroporti do të jetë i qëndrueshëm, por nuk janë dhënë detaje të mëtejshme rreth projektit.