LG ka prezantuar projektorinHU85L me një dizajn unik, i cili i vendosur vetëm 2 inch larg murit arrin të ofrojë një ekran 90 inch me pamje 4K.
Projektori i ri me lazer nga LG shfaq një dizajn mjaft të veçantë, duke qënë se ndryshe nga modelet e tjera tradicionale vjen në formën e një drejtkëndëshi dhe në ngjyrë gri. Forma e tij është synuar të jetë një element më i përshtatshëm për dhomën e ndenjes, ngjashëm me një element dekori.
Përveç formës e cila është ndryshe nga modelet e tjera, projektori i ri i LG ofron edhe një teknologji mjaft inovative duke qënë se arrin të projektojë imazhe në një rreze shumë të shkurtër. Sipas kompanisë do të mjaftonte që pajisja të ishte vendosurvetëm 2 inç larg murit, për të arritur projektim perfekt të imazheve 4K në një ekran 90 inç. Në rast se përdoruesit e këtij projektori do të donin të përfitonin një imazh më të zmadhuar në mur, pra nëse do të dëshironi një ekran më të madh se 90 inç, atëherë pajisja mund të largohet deri në 7 inç për të përftuar një pamje prej 120 inç.
Pra vetëm 7 inç larg për të arritur të shohësh të projektuar në mur një ekran 120 inch. LG ende nuk ka zbuluar veçoritë e plota, por premton që HU85L do të ofrojë deri në 2.500 ANSI lumens të ndriçimit dhe një rezolucion UHD 4K, si dhe porta USB, Ethernet dhe HDMI për të mundësuar lidhjen. Përveç kësaj, si televizorët e tjerë smart të LG, HU85L do të mbështesë ThinQ AI të kompanisë për komandat zanore dhe sugjerimet e zgjuara të asaj që duhet të shikojë më pas, së bashku me suportin për një sërë aplikacionesh të integruara.
Nuk ka ende asnjë të dhënë rreth çmimit dhe datës së hedhjes në treg si nga ana e kompanisë ashtu edhe nga burime të afërta të saj, por me sa duket LG do të ketë më shumë informacione për të ofruar shumë shpejt.