Lumenjte permbajne nivele te rrezikshme te antibiotikeve
Antibiotikët po ndotin rrugët ujore të botës, teksa disa lumenj rezultojnë se përmbajnë deri në 300 herë më shumë ilaçe se sa norma e sigurisë së lejueshme.
Hulumtuesit gjetën 'nivele të rrezikshme' të barnave, duke përfshirë ato të përdorura për të trajtuar infeksionet e lëkurës dhe të traktit urinar, nëpër rrugët ujore të botës.
Pothuajse dy të tretat ose 65 përqind e lumenjve në 72 vende të ndryshme rezultuan pozitive për 14 antibiotikë të përdorur zakonisht. Përqendrimet e larta të antibiotikëve në ujë janë një shkak kryesor i rezistencës antibiotike, që konsiderohet të jetë një nga kërcënimet më të rënda për shëndetin e njeriut.
Metronidazoli, i përdorur për të trajtuar infeksionet e lëkurës dhe gojës, u gjet në përqendrime 300 herë më të mëdha se niveli 'i sigurt' në një lumë në Bangladesh. Ndërsa metronidazoli mori rekordin për medikamentin e gjetur në nivelin më të rrezikshëm në një vend të vetëm, trimetoprim ishte më i zakonshëm.
Ekipi hulumtues krahasoi të dhënat e monitorimit me nivele 'të sigurta' të vendosura kohët e fundit nga Aleanca e Industrisë AMR e cila, në varësi të antibiotikut, varion nga 20-32,000 ng/l. Ciproflaxacin, i cili përdoret për të trajtuar një numër infeksionesh bakteriale, ishte komponenti që më shpesh tejkalonte nivelet e sigurta, duke tejkaluar pragun e sigurisë në 51 vende.
Hulumtuesit e Universitetit të Jorkut udhëhoqën hulumtimin dhe dërguan 92 kode kampionimi për partnerë anembanë botës të cilëve iu kërkua të merrnin mostra nga lokacionet përgjatë sistemit të tyre lokal të lumenjve. Vendet ku antibiotikët tejkaluan nivelet e sigurta u gjetën më së shpeshti në Azi dhe Afrikë, por edhe në vendet në Evropë, ku studiuesit e quanin atë një "problem global".