Sipas statistikave miliona fëmijë në botë, kryesisht në Afrikë nuk kanë këpucë, ndërsa të panumërt janë ata që i kanë këpucë të numrit që nuk u përgjigjet. Një organizatë bamirësie ka krijuar një model të ri këpucësh që rriten së bashku me këmbën e fëmijëve. Këto sandale përmes kopsave dhe rripave arrijnë të zgjerohen deri me pesë masa.
Mund të jetë një zbulim i thjeshtë, por, me siguri, do të ndryshoj me miliona jetë. Këto janë këpucët “që rriten”, sandalet që i zbuloi Kenton Ly, madhësia e të cilave mund të përshtatet. Kjo do të ndihmoj fëmijët e varfër të mos ecin më këmbëzbathur, kryesisht kjo në Afrikë. Këto këpucë mund të rriten për pesë numra dhe kanë jetëgjatësi së paku 5 vjet.
Kenton Lee, duke punuar në Nairobi të Kenisë, i lindi kjo ide, duke parë që shumica e fëmijëve ishin zbathur ose mbanin sandale të veshura më të vogëla se masa e tyre e këmbëve.“Duke parë këtë gjendje, më lindi ideja për një palë këpucë që mund të zgjerohen çdo herë kur këmbët e fëmijëve rriten,” tha Kenton Lee. “Unë besoj se ne me të vërtetë kemi krijuar diçka të jashtëzakonshme.”
Këmbët e fëmijëve nga mosha 1-6 vjeçare rriten shumë shpejtë, përafërsisht me nga një masë për çdo muaj. Për prindërit që jetojnë në vendet e pasura kjo nuk paraqet ndonjë problem, por për prindërit nga shtetet e varfra po, ngaqë nuk kanë mjete financiare për të blerë nga një palë këpucë çdo muaj, dhe kështu fëmijët e tyre rrezikojnë të mbesin të zbathur.
Fëmijët që ecin të zbathur rrezikojnë që të marrin infeksione të ndryshme. Këpucët që rriten, janë sandale të zakonshme të cilat kanë një shtresë gome tepër të fortë që i mbron shputat e fëmijëve, si dhe kanë rripa të butë të lëkurës.
Një palë sandale të tilla kushtojnë vetëm 30 dollarë, por nëse blihen më tepër se njëqind palë atëherë çmimi i tyre ndryshon në 12 dollarë. Kenton Lee ka thënë se këto sandale janë krijuar që të rriten deri me pesë masa dhe do të kenë një jetëgjatësi për rreth pesë vite. Kento Lee është duke punuar me organizatën e quajtur “Because International” që ka për qëllim dërgimin e këtyre këpucëve në vendet e Afrikës. Ata shpresojnë se edhe organizatat tjera humanitare do të dërgojnë këto këpucë në vendet e Afrikës.