Holanda do te nise ndertimin e rrugeve prej plastikes
Holanda do të bëhet shteti i parë që të shtrojë rrugët nga mbetjet plastike. Nëse ju duket e pabesueshme, ata madje pretendojnë që brenda 3 viteve kjo teknike të përdoret masivisht.
Roterdami i Holandës do të jetë qyteti i parë në botë, që do të përdorë plastikën e ricikluar për ndërtimin e rrugëve në vend të asfaltit. Këshilli i Qytetit të Roterdamit ka deklaruar se po e konsiderojnë si një mundësi potenciale testimin e një sipërfaqeje rruge, e cila cilësohet nga prodhuesit si një alternativë më e pastër se asfalti.Kompania e ndërtimit Volkerwessels ka prezantuar një plan për ndërtimin e rrugëve me materiale të riciklueshmë plastike. Sipas firmës kjo lloj sipërfaqe kërkon më pak mirëmbajtje se asfalti dhe mund të përballoje temperatura -40 gradë celsius dhe 80 gradë celsius.
Materiali plastik që do të përdoret për rrugët është më ekologjik, më i shpejtë në shtrim dhe më i qëndrueshëm në krahasim me asfaltin. Për të ndërtuar rrugë të tilla nuk do të duhen muaj, por vetëm disa javë.Pjesët përbërëse për shtrimin e rrugëve mund të prodhohen në një fabrikë dhe mund të transportohen në vendin ku ka nevojë, duke ulur kështu kohën e ndërtimit, gjë që do të rezultonte edhe në një trafik më pak të ngjeshur. Ata besojnë që do të arrijnë të testojnë rrugën e parë plastike brenda 3 viteve.
Ndërsa Jaap Peters, nga byroja e inxhinierisë e këshillit të qytetit ka thënë se besojnë dhe shpresojnë se do të arrihet një gjë e tillë. “Ne jemi shumë pozitivë sa i përket ndërtimit dhe zhvillimit të rrugës plastike. Roterdami është një qytet që është i hapur për eksperimente. Ne kemi një ‘laborator rruge’ në dispozicion ku zbulime të tilla mund të testohen”, ka thënë Peters.