Harrojeni oren inteligjente, Apple eshte duke zhvilluar nje unaze!
Gjigandi i teknologjisë Apple kësaj radhe po planifkon të sjellë një unazë inteligjente, e cila quhet “iRing”. Apple pritet që të marrë patentën për unazën iRing, e cila përbëhen nga një ekran dhe sensorë për prekje si edhe një mikrofon për komandat zanore.
Unaza do të mund të lidhet me pajisjet e Apple që janë aktualisht në treg. Ky projekt është bërë publik nga “US Patent and Trademark Office” këtë të enjte. Sipas raportit thuhet se unaza do të përdoret për të kontrolluar pajisje të largëta elektronike, aktivizimin e ndriçimit ose mund të përdoret për komandimin e sistemit të ngrohjes në shtëpi, brenda një makine, si edhe do të veprojë si maus për kompjuterin.
Përveç këtyre funksioneve, përmes unazës mund të bëhet edhe transferimi i parave, përmes shtrëngimit të duarve ndërmjet dy mbajtësve të tyre. Për shembull, përdoruesi mund të thotë “kur të shtrëngoj duart me Steven, une do ti jap atij 20 dollarë” zëri incizohet dhe më pas konvertohet në tekst, dhe në momentin që përdoruesit i shtrëngojnë duart, pajisjet e tyre marrin sinjalin dhe kryhet transaksioni i parave. Pajisja gjithashtu mund të mbajë sensorë biometrikë për monitorimin e normës së zemrës dhe lëvizjes, e ngjashme me Apple Watch. Megjithatë ende nuk është bërë e ditur se kur projekti i tillë do të vijë në jetë.