Keni parë ndonjëherë disa drita të vogla që lëvizin natën nëpër pemë? Burimi i këtyre dritave, që nganjëherë mund të jenë aq shumë saqë një pemë mund të jetë e mbushur me to, janë xixëllonjat.
Një mori e madhe xixëllonjash me ngjyrë të verdhë kanë pushtuar errësirën. Ato duken si llampa të ndezura, të krijuara nga dora e njeriut, por në fakt janë krijesa të natyrës dhe që arrijnë të krijojnë një imazh të tillë magjepës.
Pak gjëra janë aq magjike sa drita e një xixëllonje në një natë të ngrohtë vere. Por, për fat të keq, për shkak të ndotjes dhe shkatërrimit të habitateve të tyre natyrore, pjesa më e madhe e xixëllonjave botërore është pakësuar gjatë viteve të fundit. Në një përpjekje për ti ruajtur ato dhe shumimit, në Parkun lindor të liqenit Peony në qytetin Wuhan, është hapur kopshti i parë i xixëllonjave në provincën e Hubei.
Dhe ky park i është përkushtuar tërësisht insekteve ndriçuese të xixëllonjave. Në fakt, parku është shtëpi e rreth 10,000 xixëllonjave, të ndara në pesë zona të veçanta, zona e fluturimit, zona e vëzhgimit, një zonë kontakti me zero distancë, zona e mbarështimit dhe një zonë për shkencën. Të riprodhosh këto insekte nuk është e lehtë, as edhe e lirë. Oddity Central vlerëson se një xixëllonjë kushton rreth 10 juan (ose rreth 1.4 euro).
Në këtë shembull, xixëllonjat janë sjellë nga Qarku Ningdu në Ganzhou, Provinca Jiangxi. Ato janë sezonale, dhe parku, i cili për herë të parë u hap në 30 maj të këtij viti, do të mbyllë dyert në fund të tetorit. Megjithatë, duke pasur parasysh që vetëm në ditën e parë, ai tërhoqi mbi 10.000 vizitorë, parku i xixëllonjave është planifikuar të hapet përsëri vitin e ardhshëm.