Gjelberim ne shkretetire, Emiratet e Bashkuara Arabe ndertojne qytetin ekologjik
Emiratet e Bashkuara Arabe janë të njohura për projekte gjigante, një prej tyre është edhe plani për ndërtimin e një qyteti ekologjik. 32 kilometëra larg Abu Dhabit, aty ku dikur ishte vetëm një copë toke shtërpë e shkretëtirës, tani do të ndërtohet qyteti i parë ekologjik në të gjithë botën.
Ai do të quhet Masdar që në arabisht do të thotë burim. Do të jetë një qytet pa mbeturina, pa automobila, pa gazra. Në vend të tyre do të ketë rrugë me hije, sheshe të mbuluara dhe pa përjashtim, vetëm energji ripërtëritëse.
Ndërtimi i tij filloi në vitin 2008 dhe faza e parë vazhdoi deri në vitin 2009, por me rënien ekonomike globale të vitit 2008 vazhdimi i projektit u shty deri në vitin 2015. Masdar do të jetë shtëpia e Institutit të Shkencës dhe Teknologjisë, i cili do të mësojë nxënësit me metodat më të fundit të energjisë së rinovueshme, planifikimin urban dhe arkitekturën, si edhe politikat mjedisore.
Pas 8 viteve ndërtim ‘Masdar City’ në vitin 2016 do të strehojë më shumë se 5000 banorë. Gjithashtu aty do të ketë rreth 1500 kompani, që do të ofrojnë vende pune për banorët dhe udhëtarët. Qyteti gjithashtu do të presë selinë e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë së përtëritshme, një agjenci ndërqeveritare e formuar në vitin 2009. Ajo deri më tani ka 143 vende anëtare.
Masdar synon të jetë një qyteti i parë ekologjik, prandaj ai do të ketë rrugë të ngushta me hije, për ta mbajtur qytetin e freskët dhe me panele diellore në çatitë e shtëpive. Sistemi i transportit do të fokusohet në të ecje, çiklizëm, si edhe opsione të tjera të transportit publik që gjenerohen nga energjia elektrike.