Statuja me e larte e botes se lashte do te rindertohet ne Greqi
Keni dëgjuar për ‘Kolosin e Rodosit’, një ndër shtatë mrekullitë e botës së lashtë, të ndërtuara mijëra vjet më parë në Greqinë antike? Aktualisht një grup arkitektësh, historianësh, arkeologësh dhe ekonomistësh nga Greqia dhe vende të tjera europiane kanë marrë përsipër projektin ambicioz për ‘ringjalljen’ e Kolosit të Rodosit.
Kolosi i Rodosit është një Titan, Zot i Diellit i ndërtuar në ishullin e Rodosit në vitin 280 pes. për të festuar fitoren e Rodosit mbi sundimtarin e Qipros. Por në vitin 654 saraçenët bastisën ishullin dhe shkatërruan statujën gjigande prej bronzi. Mbi 2200 vjet pas rënies së tij, arkitekti Ari A. Palla, arkeologu Christos Giannas dhe specialisti i marëdhënieve me publikun, Dionisis Mpotsas së bashku me inxhinierin civil Enrique Fernández Menendez dhe ekonomisten Matilda Palla nga Spanja, arkitektja Ombretta Lannone nga Italia, si dhe inxhinieri civil Erald Dupi nga Mbretëria e Bashkuar kanë rekomanduar rindërtimin e tij, si pjesë e një iniciative europiane, financimi i së cilës i është drejtuar një publiku të gjerë.
Projekti kryesohet nga një ekip shkencëtarësh të rinj, të cilët duan të përdorin teknologjinë e shekullit 21 për të ruajtur madhështinë e statujës origjinale. Brenda statujës ekipi dëshiron të ndërtojë një muze, i cili do të lejojë qindra artikuj që aktualisht në Greqi nuk mund të vizitohen për shkak të mungesës së hapësirës.
Që të përshtasin të gjitha këto, udhëheqësit e projektit duan që të ndërtojnë një statujë edhe më të madhe se sa origjinalja, 150 metra të lartë. Ata gjithashtu shpresojnë që brenda Kolosit të Rodosit të përfshihet një bibliotekë dhe një qendër kulturore, së bashku me një fener që mund të shihet rreth 58 kilometra larg, i cili do të ishte një magnet jo vetëm për anijet, por edhe për turistët.
Ata kanë bërë një studim marketingu që tregon se kjo do të sjellë miliona para për ekonominë lokale kur projekti të përfundojë. Struktura do të marrë parasysh rrezikun e tërmeteve dhe erërave, sipërfaqja e statujës do të mbulohet me panele fotovoltaike që do ti ofrojnë atij autonomi 100 për qind ashtu sikurse një ‘Perëndi Dielli’ që ushqehet ekskluzivisht nga energjia diellore.