Secondary Adv

OSHEE vijon me investimet: Permiresohet furnizimi me energji ne Durres

OSHEE ka nisur në qarkun e Durrësit një tjetër investim, i cili ka në fokus përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji elektrike.

 

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga Administratori i OSHEE, Adrian Çela ishin në terren ku ndoqën nga afër punimet, që përfshijnë shtrimin e linjës së re të tensionit të mesëm dhe të ulët, si dhe vendosjen e kabinave të reja. Për Administratorin e OSHEE ky investim është vazhdim i projekteve, që janë kryer në këtë zone, ku përfshihet edhe ndërtimin e nënstacionit elektrik të Gjirit të Lalzit. “Përfunduam 3 fiderat e parë në Gjirin e Lalzit vjet, që furnizuan të gjithë zonën bregdetare turistike dhe tani ka filluar puna për këtë fider, i cili furnizon rreth 10 mijë banorë të zonave Manzë, Manza e Re, Manza e Vjetër, Shkallë dhe Armath.

 

Kemi edhe dy fidera të tjerë, të cilët kanë nisur ose janë në procesin e nisjes brenda pak javësh. Njëra furnizon zonën e Ishmit, Shkafanës dhe shkon deri në Kepin e Rodonit dhe i fundit është fideri, i cili mbyll gjithë këtë zonën”, tha Çela. Ky investim, i cili përfshin shtrimin dhe ndërtimin e 28 kilometrave rrjet i tensionit të mesëm, 79 kilometra tension i ulët si dhe vendosjen e 30 kabinave të reja, pritet të ketë një impakt të madh, duke i ardhur në ndihmë biznesit, i cili operon në këtë zonë.   

 

Duke vlerësuar rëndësinë e këtij investimi në një zonë turistike, por edhe me nisma premtuese në fushën e agrikulturës, ministrja Balluku u shpreh: “Kur sezoni turistik të hapet, i gjithë investimi do jetë i përfunduar dhe zona do jetë e mbuluar me të gjitha elementët që rrjeti shpërndarjes ka, si tension i ulët ashtu dhe tension i mesëm dhe padyshim të gjithë komponentët e këtij rrjeti do jenë funksionalë. Ky është një lajm shumë i mirë për të gjithë këtë zonë, sepse këtu është jo vetëm një zonë turistike bregdetare, por dhe një zonë ku të gjitha këto pikat e agrikulturës kanë gjetur zhvillim dhe kemi edhe ferma të vogla dhe hoteleri”.

 

Ministrja nënvizoi se falë investimeve të realizuara në vitet e fundit në sektorin energjetik u bë i mundur minimizimi i dëmeve, gjatë situatës së reshjeve të dendura të dy javëve më parë. Gjithashtu investimet i përgjigjen jo vetëm nevojës aktuale të zonave, por dhe zhvillimit të tyre në vitet e ardhshme. Duke ju referuar njoftimeve se edhe fundjava në vazhdim do të jetë e shoqëruar me reshje të dendura në të gjithë territorin e vendit, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë kërkoi nga OSHEE që të vijojnë me gjendjen e gatishmërisë, për të ndërhyrë në çdo situate, në mënyrë që qytetarët të mos kenë ndërprerje të energjisë elektrike./Burimi: Balkanweb


Më të lexuarat