Te ardhurat per fryme u ulen me 323 euro: Ja sa humbi ekonomia nga Covid
Kriza ekonomike që shkaktoi pandemia COVID-19, ka ndikuar menjëherë në mbledhjen e të ardhurave.
Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Financave deri në fund të vitit 2020 janë mbledhur 3.4 miliardë euro nga 3.7 miliardë euro që u mblodhën në vitin 2019. Ndërkohë referuar shifrave të ardhurave që janë parashikuar në kuadrin makroekonomik dhe fiskal thuhet se të ardhurat për gjithë vitin 2020 ishin 3.4 miliardë euro, nga 4.1 miliardë euro që u parashikuar në ligjin fillestar për buxhetin e shtetit, me një rënie prej më shumë se 689.5 milionë eurosh. Dëmi më i madh buxhetit të shtetit iu shkaktua nga karantina në fillim të përhapjes së pandemisë, ku u mbyllën bizneset dhe i gjithë aktiviteti ekonomik.
Por pavarësisht këtij recesioni, Ministria e Financave pret që këtë vit të mbledh 3.9 miliardë euro, ose rreth 486,7 milionë euro më shumë se vjet dhe ndikimin më të madh pozitiv do e japi turizmi dhe industria. Dy sektorët më të goditur nga kriza që shkaktoi COVID-19. Kjo rënie ekonomike ka ndikuar direkt edhe tek xhepi i qytetarëve. Sipas të dhënave të ardhurat për frymë në 2020 ishin në vlerën e 4.459 eurove, me një rënie prej 323 euro krahasuar me 2019. Ndërkohë këtë vit pritet që të ardhurat për banor të arrijnë në 4.782 euro, e njëjta vlerë me vitin 2019.