Secondary Adv

Cmimi dysheme i qirase se dyqaneve, sa dyfishi i apartamenteve te banimit

Tatimet vendosin një formulë për llogaritjen e çmimit dysheme për qiratë e dyqaneve, zyrave, garazheve dhe bodrumeve. Kjo do të jetë referenca për çmimet e dhënies me qira për efekt të llogaritjes së tatimit.


Formula
Sipas vendimit “Për përcaktimin e vlerës minimale të çmimit të referencave të qirave të ndërtesave për qëllime tatimore”, në asnjë rast, vlera e dhënies me qira të ndërtesës nuk do të jetë më e vogël se vlera minimale e qirasë, e përcaktuar në këtë formulë. Kjo mënyrë e re llogaritjeje e qirave do të ketë për bazë një udhëzim tjetër të qeverisë, atë mbi çmimin e referencës së shitjes së apartamenteve. Çmimi dysheme, për metër katror sipërfaqe ndërtese të dhënë me qira, është i barabartë me 0.3 për qind të çmimit të shitjes së saj, e përcaktuar në udhëzimin e Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave, nga Enti Kombëtar i Banesave”, që miratohet çdo vit.


Dyqanet
Për çmimin e dhënies me qira të ndërtesave që nuk janë apartamente banimi, në qytetin e Tiranës, vlera minimale mujore, për 1 m² sipërfaqe ndërtimi, në rastin e dyqaneve do të jetë mesatarisht 178 250 lekë m², por në çdo rast vlera përcaktohet sipas zonave. Sipas vendimit, për 1m² sipërfaqe për dyqan mallrash apo shërbimesh, vlera minimale e qirasë mujore është dy herë më e lartë se vlera minimale e qirasë mujore për 1 m² sipërfaqe të apartamenteve të banimit, sipas zonave të Tiranës. Ndërsa për dhënien me qira të ndërtesave që nuk janë apartamente banimi, në qytete të tjera, vlera minimale e qirasë mujore, për 1 m² sipërfaqe ndërtimi, përcaktohet me një koeficient më të ulët. Kështu, për 1 m² sipërfaqe për dyqan mallrash apo shërbimesh, vlera minimale e qirasë mujore është 1.5 herë më e lartë se vlera minimale e qirasë mujore për 1 m² sipërfaqe të apartamenteve të banimit.

 

Garazhet
Lloji i objektit më i përhapur për dhënie me qira, sipas Tatimeve, është garazhi. Sipas vendimit të qeverisë, për 1 m² sipërfaqe për garazh të mbuluar, vlera minimale e qirasë mujore është 70 për qind e vlerës minimale të qirasë mujore për 1 m² sipërfaqe të apartamenteve të banimit, sipas zonave të kryeqytetit. Edhe llogaritja e qirasë së këtij objekti në rrethe nuk ndryshon. Për 1 m² sipërfaqe për garazh të mbuluar, vlera minimale e qirasë mujore është 70 për qind e çmimit minimal të qirasë mujore për 1 m² sipërfaqe të apartamenteve të banimit në atë qytet.


Zyrat dhe magazinat
Për 1 m² sipërfaqe për zyrë dhe magazinë, vlera minimale e qirasë mujore është e barabartë me vlerën minimale të qirasë mujore për 1 m² sipërfaqe të apartamenteve të banimit, sipas rajonit të Tiranës ku gjendet objekti. Po kështu, edhe në rrethe do të përdoret e njëjta formulë.

 

Bodrumet
Bodrumet janë shumë të përdorura në kryeqytet për veprimtari tregtare dhe shërbime. Tatimet i kanë futur këto objekte në listën e referencës, sipas së cilës, për 1 m² sipërfaqe bodrumi, vlera minimale e qirasë mujore është 70 për qind e vlerës minimale të qirasë mujore për 1 m² të apartamenteve të banimit, në varësi të zonës së kryeqytetit apo të rrethit ku ndodhet.

 

Parkimi
Tashmë edhe për parkimin e hapur do të paguhet tatimi mbi të ardhurat në burim. Sipas vendimit, për 1 m² sipërfaqe parkim të hapur, vlera minimale e qirasë mujore është 30 për qind e vlerës minimale të qirasë mujore për 1 m² sipërfaqe të apartamenteve të banimit, sipas zonave të Tiranës apo qytetit ku zhvillohet aktiviteti.

 

Pallatet e vjetra
Çmimi do të llogaritet më i ulët për objektet me qira të dhëna në pallate të vjetra. Sipas vendimit, për 1 m² sipërfaqe të ndërtesave të privatizuara me ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992, “Për privatizimin e banesave shtetërore”, vlera minimale e qirasë mujore është 70 për qind e vlerës minimale të qirasë mujore për 1 m² sipërfaqe të apartamenteve të banimit, sipas zonave të Tiranës apo qyteteve ku ndodhet banesa.


Kontratat dhe tatimi
Të ardhura nga qiraja, sipas legjislacionit fiskal, konsiderohen të gjitha të ardhurat e përfituara nga dhënia me qira e tokës, ndërtesave e objekteve të tjera që shërbejnë për banim, aktivitet industrial, tregtar, shërbimi etj. Vlera e dhënies me qira të ndërtesës përcaktohet në kontratën e noterizuar të qirasë. Në kontratë, veç të tjerave, duhet, detyrimisht, të përcaktohet qartë adresa ku ndodhet ndërtesa, sipërfaqja, në metër katrorë dhe vlera mujore e qirasë së objektit. Vendimi i qeverisë përqendrohet në qiratë e ndërtesave që jepen për tregti e shërbime./Gazeta Shqip


Më të lexuarat