Secondary Adv

Prezantohet projekti per restaurimin e teatrit Migjeni

 

Ndërhyrje në impiante, në sistemet teknologjike, në strukturën e jashtme, fasadë dhe skenografi, ky do të jetë restaurimi më i ri për Teatrin “Migjeni” në qytetin e Shkodrës, falë projektit të prezantuar nga Ministria e Kulturës, ndërhyrje e cila për herë të fundit është kryer në vitin 1958.

 

 

Gjatë prezantimit të projektit, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro u shpreh se “vetëm pak muaj më parë, konkretisht në 4 shkurt 2015 kam marrë një letër të shqetësuar të drejtorit të Teatrit Migjeni, Edmond Angoni. Ai njoftonte për gjendjen e mjeruar të ndërtesës dhe kushtet teknike, që e bënin të pamundur zhvillimin e aktivitetit artistik.

 

 

Që nga momenti i marrjes së detyrës dhe deri më tani kam shpehur gadishmërinë dhe vullnetin e institucionit që drejtoj, në mbështetje të artistëve dhe skenës kulturore, sepse artin nuk e bëjnë politikat, por njerëzit e kulturës, skena nuk është e politikës, por e njerëzve të artit”.
Sakaq, Kumbaro shprehu gadishmërinë e saj për të mbështetur projekte të tilla, që lidhen me objektet e kulturës. “Në pak muaj kemi bërë realitet një projekt restaurimi të teatrit, i cili kap vlerën e 86 milionë lekëve, për të përballuar fazën e parë të restaurimit. Jam këtu për të shprehur gadishmërinë time dhe të gjithë qeverisë për restaurimin e teatrit, jo vetëm si objekt kulture por edhe si monumente të njerëzve të kulturës.

 

 

Ky fond është hapur nga qeveria shqiptare që ta bëjmë realitet këtë projekt brenda vitit 2015”. Sa i përket projektit që do të aplikohet, faza e parë e projektit , quajtur edhe faza e shpëtimit është menduar të ndërhyjë në impiantet dhe sistemet teknologjike. Konkretisht do të ndërhyhet në impiantin elektrik, i amortizuar dhe pa asnjë projekt që nga koha e ndërtimit, në impiantin mekanik të skenës dhe në impiantin e ndërrimit të ajrit. Projekti parashikon edhe ndërhyrje emergjente në sistemin e mbrojtjes nga zjarri, ku ekspertiza e kryer e gjen jashtë çdo sistemi funksional.

 

 

Në aspektin struktural do të ndërhyhet në strukturën e mbulimit në holl, skenë dhe sallë. Elementet arkitektonikë parashikojnë ndërhyrje në çati, ku do të merren masa për vendosjen e kapriatave, binarëve, etj. Projekti parashikon ndërhyrje në katin e nëntokës në sistemin e drenazhit dhe në fasadën e të gjithë ndërtesës.

Ky fond, i hapur nga qeveria shqiptare shkon paralelisht me rikonstruksionin e Teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë, faza e pare e të cilave do të realizohet brenda vitit 2015.Ndërkaq, projekti është hartuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe fondi i akorduar për fazën e parë të punimeve kap shifrën e 86 milion lekëve të reja.


Më të lexuarat