Secondary Adv

Riparimi i pallateve te termetit: Rritet vlera e grantit per ambientet e perbashketa

Ndryshon vendimi për rregullat dhe procedurat e përfitimit të granteve të rikonstruksionit të shtëpive të dëmtuara nga tërmeti.

 

Masa e grantit për punimet e ambienteve të përbashkëta në pallat do të jetë 100% e vlerës së riparimit nga 50% e vlerës që parashikohej në vendimin e mëparshëm. Ndryshimet e vendimit lehtësojnë banorët e pallateve të dëmtuara nga investimi i vlerës shtesë mbi grantin e përfituar. Vendimi parashikon se në rast se dëmtimet që kanë nevojë për rikonstruksion ose riparime në pallate duhen kryer dhe në mjedise të përbashkëta ose në bashkëpronësi të ndërtesës, pjesa përkatëse e grantit të rikonstruksionit përfitohet nëpërmjet aplikimit nga administratori i pallatit, i certifikuar sipas legjislacionit në fuqi, dhe llogaritet nga njësia vendore ose autoriteti përgjegjës veçmas nga granti që përfitojnë individët ose familjet për banesat e tyre të dëmtuara.

 

Rregullat e miratuara në fillim të 2020 përcaktonin se administratori i certifikuar është përgjegjës për realizimin e punimeve, për të cilat miratohet granti. Në rast se nuk ka administrator të certifikuar për pallatin ose kur administratori i certifikuar nuk kryen aplikimin, brenda 3 muajve nga data e shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, granti për punimet e përbashkëta kërkohet me aplikim nga një apo më shumë banorë të ndërtesës dhe realizohet nga njësia e vetëqeverisjes vendore, me kusht që pronarët e njësive të banimit në ndërtesën që duhet rikonstruktuar apo riparuar të investonin vlerën shtesë mbi masën e grantit që përfitohet, e nevojshme për realizimin e punimeve përkatëse.

 

Sakaq programi për dhënien e granteve të rikonstruksionit për shtëpitë e banimit parashikon që punimet për dëmtime të klasifikuara, si: DS1, DS2, DS3, të mund të kryhen vetë nga qytetarët me rimbursim shteti. Në total në 11 bashkitë e vendit, sipas Ministrisë të Rindërtimit kanë aplikuar online 48,708 qytetarë. Nga këto 25,863 janë klasifikuar DS1, DS2, DS3 për rikonstruksionin nëpërmjet granteve, ndërsa 22,845 janë klasifikuar DS4, DS5 dhe do të përfshihen në programet e rindërtimit. 

 

Faza e aplikimeve në platformën elektronike zgjati 1 muaj nga 28 janari deri në 28 shkurt të 2020-s. Fondi në total i planifikuar të shpërndahet për riparimin e shtëpive është 9,8 miliardë lekë. Deri në muajin dhjetor sipas të dhënave të Ministrisë të Rindërtimit është shpërndarë 60% e fondit. Në total në vend u shembën 115 pallate të dëmtuara nga tërmeti, ku numri më i lartë rezultoi në Shijak në 30 pallate, 22 në Kurbin, 5 në Durrës, 8 në Kamëz, 10 në Kavajë, 19 në Vorë, 16 në Krujë, 4 në Lezhë dhe 1 në Mirditë. Në total për t’u riparuar ishin 242 pallate. /Burimi: Monitor


Më të lexuarat