
Zbardhet kontrata e re e Rinasit: Nga pista te tarifat dhe terminali, cfare ndryshon
Konçesioni i aeroportit të Rinasit ka kaluar zyrtarisht te “Kastrati Group”.
Transaksioni mes grupit më të madh në vend dhe kompanisë kineze që zotëronte deri më tani aksionet është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku specifikohet se “Kastrati Group” tashmë disponon 100% të aksioneve të shoqërisë “Tirana International Airport”, që menaxhon konçesionin. Sipas kontratës grupi Kastrati do të paguajë në total 71 milionë euro, të ndara në 2 këste, ku fillimisht do të bëhet një pagesë fillestare prej 15 milion euro dhe më pas një shumë prej 56 mln euro e konsideruar si shuma e mbylljes.
Për çfarë parashikohet të ndodhë me Aeroportin Ndërkombëtar ne Rinas?
Qeveria shqiptare ka depozituar në Kuvend për shqyrtim projektligjin për ratifikimin e ndryshimit të marrëveshjes së koncesionit për Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit. Në marrëveshjen e depozituar në Kuvend parashikohet zgjatja e afatit të koncesionit, skema e uljes së tarifave dhe një investim rreth 99 milionë euro. “Ky projektligj rregullon marrëdhënien e shtetit shqiptar me shoqërinë koncesionare për një nga asetet më të rëndësishme e strategjike të Republikës së Shqipërisë, aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Ky objekt koncesionar, gjatë kësaj periudhe, ka pësuar zhvillime dhe përmirësime të ndjeshme nga pikëpamja e infrastrukturës dhe shërbimeve të ofruara. Në vitin 2005, kohë e cila përkon edhe me fillimin e operimit të marrëveshjes së koncesionit, në aeroportin e Rinasit trajtoheshin rreth 785 000 pasagjerë në vit. Menjëherë pas realizimit të investimeve të para dhe implementimit të politikave të tërheqjes së kompanive ndërkombetare të fluturimeve, numri i përpunimit të avionëve dhe pasagjerëve u rrit ndjeshëm.
Në vitin 2019, që përkon edhe me vitin më të suksesshem të operimit të objektit të kontratës, aeroporti i ofroi shërbime më shumë se 3.3 milionë pasagjerëve, duke u konsideruar nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare vlerësuese, si një portë modeme për vendin, duke ndryshuar imazhin e Shqipërisë. Qe nga viti 2005, më shumë se 70 milionë euro janë investuar në zhvillimin e zgjerimin e aeroportit. Amendimi i parë i kësaj marrëveshjeje daton me 1 prill 2016.
Në këtë datë, qeveria shqiptare dhe TIA nënshkruan një amendament të marrëveshjes së koncesionit, duke ndërmarrë një hap shtesë të konsiderueshëm drejt zhvillimit të transportit ajror dhe liberalizimit të fluturimeve ndërkombëtare në Shqipëri. Si rezultat i këtij ndryshimi, afati i koncesionit të TIA u zgjat për 2 vite të tjera shtesë, përkatesisht deri në prill 2027. Në këto kushte, propozimi i ndryshimit që aspirohet të miratohet nëpërmjet ratifikimit do të jetë i dyti, por me një vlerësim investimi shtesë dhe një reduktim të tarifave për pasagjerë, që implikon edhe shtimin e afatit të marrëveshjes” shkruhet në relacionin e nismës ligjore të depozituar në Kuvend.
Rezultatet e pritshme
– Investimi në infrastrukturen e aeroportit me fonde 100% të shoqërisë koncesionare arrin rreth 99 milionë euro;
-Ulja e vlerës ekonomike të biletës për qytetarët që do të fluturojnë nga dhe drejt këtij aeroporti, duke reduktuar tarifat me 20% (për të rriturit) dhe 40% për fëmijët;
– Lirinë e hyrjes në tregun e shërbimeve në tokë.
– Shndërrimin e aeroportit ndërkombëtar të Tiranës, që do të operojë avionë të kategorisë 4E, një kategori më e lartë se ajo aktuale, duke bërë të mundur për herë të parë lidhjen e drejtpërdrejtë me shtete, të cilat janë konsideruar strategjike për zhvillimin e ekonomisë së vendit.
Referuar relacionit të nismës ligjore, pojektligji nuk pritet të ketë problematika dhe efekte negative, pasi është një projektakt me karakter individual dhe thjesht miraton ndryshimin në marrëveshjen koncesionare, ndryshim, i cili është dakordësuar ndërmjet palëve dhe implementimi i të cilit parashikohet të sjellë vetëm impakt pozitiv, që afekton edhe në vlerën ekonomike të kalkuluar të objektit të kontratës, aeroportit “Nënë Tereza”, në momentin që ky aset do t’i rikthehet shtetit shqiptar për administrim, pas përfundimit të afatit të kontratës së koncesionit./Burimi: Scan
Më të lexuarat








