Secondary Adv

Varrezat e Durresit me koncesion: Bashkia zbardh detajet e vendimit

Këshilli Bashkiak i Durrësit do i hapë rrugë koncesionit të shërbimit të mirëmbajtjes dhe ruajtjes së varrezave, përfshirë edhe shërbimin e varrimit, me vlerë 8.8 mln lekë.

 

Ky vendim, i miratuar që në mars të vitit 2019, ka nisur të zbatohet nga bashkia, e cila do të hapë garën për koncesionin. Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emirjana Sako sqaron se një masë e tillë erdhi pas ankesave të shumta të qytetarëve lidhur me mangësitë e shërbimit të varrimit. "Kemi gjykuar se mund të jetë një zgjidhje shumë e mirë që po i njëjti shërbim kryhet nga operator të jashtëm të bashkisë. Ajo që dua të theksoj është që pagesa që kanë për të bërë qytetarët e Durrësit të jetë po e njëjta pas viteve 1991 që ndërmarrjet kanë marrë një rol publik", tha Sako.

 

Se çfarë shërbimesh do të kryejë firma që do të përzgjidhet në garën e hapur nga Bashkia e Durrësit, Sako tregon se fituesit do të realizojnë një proces të plotë të detajuar në kontratë. "Ky vendim i këshillit konsiston në mirëmbajtjen dhe ruajtjen e varrezave. Ruajtjen nga zjarri. Ruajtjen fizike që mos të ndodhin vandalizma dhe vjedhje. Si dhe do të kryhet procesi i hapjes së varreve, vendosjes së hermetike. Këto procese do bëhen nga subjekti që do të lidhë kontratën me bashkinë e Durrësit", tha Sako. Kryetarja Sako bën të ditur se varrezat mbeten pronë publike dhe gjithçka që lidhet me investimet në varreza do t’i kryejë bashkia.

 

"Investimi 20 milionësh që ne do të bëjmë në varreza është shtrimi komplet i rrugës. Duam të bëjmë një strehëz për njerëzit që bëjnë ceremoni e fundit me familjarët e tyre dhe nuk do të ketë asnjë lidhje me mirëmbajtjen e varrezave ky investim", tha Sako. Procesi për kalimin e këtij shërbimi në duart e privatit kishte nisur që në vitin 2019 por tërmeti i 26 nëntorit e kaloi në plan të dytë një vendim të tillë. Subjekti që do të fitojë garën do të kontraktohet për 1 vit me të drejtë rinovimi. Nëse ky shërbim nuk rritet cilësisht atëherë bashkia mund të kryejë një tjetër garë apo ta rikthejë shërbimin si më parë./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat