
Tregu postar prek shifren e 18 mln euro: Dominon Posta Shqiptare, ja fitimet
Tregu postar gjeneroi në vitin 2019 mbi 2,3 miliardë lekë (18 mln euro) të ardhura të cilat u ndanë në 24 ofrues shërbimi.
Sipas të dhënave që u publikuan në Strategjinë e Qeverisë për zhvillimin e shërbimit publik postar deri më 2026, gati 65 % e tregut dominohet nga shërbimi publik (Posta Shqiptare). Nga viti 2014-2019, pozicioni i Postës Shqiptare në treg ra me 3 %. Sipas analizës së qeverisë, kjo rënie vjen si rezultat edhe i shtimit të numrit të operatorëve postarë që veprojnë në vend. Në tregun postar, vërehet se ka një rritje të numrit të ofruesve të shërbimit postar të autorizuar nga AKEP në vitet e fundit. Kështu në vitin 2020 janë 24 ofrues të shërbimit postar te autorizuar nga AKEP kundrejt 12 ofruesve që ishin në vitin 2013. Në periudhën 2014-2019 volumi i objekteve postare, të përpunuara nga të gjithë operatorët postar, ka rritje. Ndër vite volumi total ka shënuar rritje konstante.
Nga viti 2014 në vitin 2019 volumi i objekteve postare është rritur me 40%. Posta Shqiptare sh.a. përpunon rreth 95% të objekteve në total. Fakti që Posta Shqiptare sh.a. mban peshën kryesore të volumit në shërbimet postare tregon që një përqendrim të lartë të tregut postar dhe ndikim të ulët të hapjes së tregut postar pas liberalizimit të plotë të tij me miratimin e ligjit të ri në vitin 2015, thuhet në raport. Pozita e Posta Shqiptare sh.a në treg lidhet me disa faktorë si shtrirja gjeografike e rrjetit postar në të gjithë vendin, infrastruktura më madhe në zotërim, ofrimi i një game të gjerë shërbimesh në zyrat postare nën konceptin e zyrës me një ndalesë dhe jo vetëm për shërbimet postare por dhe ato financiare, etj
Gjatë vitit 2019 nga Posta Shqiptare sh.a. dhe ofruesit e tjerë të shërbimeve postare janë pranuar në total 29,676,180 objekte postare. Pjesën më të madhe të objekteve postare janë pranuar nga Posta Shqiptare, me 26,681,058 objekte, rreth 90% të totalit. Të dhënat statistikore tregojnë se në krahasim me vitin 2018, ka pasur një rritje prej 17% të numrit të përgjithshëm të objekteve postare të pranuara e lidhur kjo dhe me një tendencë në rritje të tregtisë elektronike. Përsa i përket objekteve postare të pranuara nga Posta Shqiptare sh.a., në krahasim me vitin 2018 vërehet një rritje e treguesit të shërbimit universal me respektivisht 24.1%.
Ndërkohë, shërbimi jo-universal postar dhe ai ekspres kanë shënuar rënie, me respektivisht -47.1% dhe – 0.2%. Në grafikun e mëposhtëm jepen të dhënat e kategorive kryesore të objekteve postare të pranuara nga Posta Shqiptare sh.a. Gjatë periudhës 2014-2019 infrastruktura postare ka zhvillime në veçanti në drejtim të numrit total të zyrave postare. Numri total i zyrave postare në vend në fund të vitit 2019 ishte 1,032 të tilla, shifër kjo që përgjatë viteve ka pësuar luhatje. Numri total i zyrave postare është rritur me 11% nga viti 2014. Pjesa më e madhe e zyrave postare i përket Postës Shqiptare sh.a., me rreth 55% të tyre. Ndërkohë, nuk ka ndryshime esenciale për sa i takon qendrave të tranzitit, të përpunimit të objekteve postare./Burimi: Monitor
Më të lexuarat








