Kontrata e re e Rinasit: Zgjatet afati i koncesionit, 99 mln euro investime
Në Aeroportin e Rinasit me kalimin te kompania Kastrati Group parashikohet të bëhet një investim prej 99 mln euro, investime që do shtojnë shërbimet dhe rrisin sigurinë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë diskutimit kontratës së kalimit të aksioneve në Komisionin Parlamentar të Ligjeve tha se një tjetër element shumë i rëndësishëm i arritur në këtë kontratë është vendosja me nene përkatëse e penaliteteve në vlerë monetare e deri në heqje të së drejtës së koncesionit ndaj shoqërisë, nëse nuk realizon angazhimet e marra në kontratë. “Investimi në infrastrukturën e aeroportit parashikohet me fonde 100% të shoqërisë koncesionare, investim, i cili arrin mbi 99 milionë euro.
Përcaktohet ulja e vlerës ekonomike të biletës për qytetarët që do të fluturojnë nga dhe drejt këtij aeroporti, duke reduktuar tarifat me 20% (per te rriturit) dhe 40% për fëmijët. Tarifa e pasagjerin do të shkojë 10 euro, nga 12.5 euro që është aktualisht, ndërkohë që për fëmijët e moshës 2-12 vjeç ulja parashikohet në masën 40%. Ndërkaq, nga liberalizimi i shërbimit të tokës, çmimi i biletave ajrore parashikohet të ulet në 20%.
Ministrja shpjegoi dhe arsyet e zgjatjes së kontratës së koncesionit për një periudhë 12-vjeçare, duke e lidhur me situatën e krijuar nga COVID-19 në industrinë e aviacionit. Ndërkaq, ministrja Denaj bëri publike afatet kohore se kur duhet të përmbushen investimet e parashikuara në kontratën e re koncesionare. Sipas ministreve, për herë të parë në kontratë janë përfshirë edhe penalitete me gjobë për koncesionarin, në rast të mos përmbushjes së detyrimeve, ndërkohë që nëse ato nuk plotësohen brenda 180 ditësh nga afati i parashikuar në kontratë, shtetit i lind e drejta të prishë kontratën, pa patur penalitete në arbitrazh.
Aeroporti ndërkombëtar i Tiranës do të operojë avionë të kategorisë 4E, një kategori më e lartë se ajo aktuale 4D, duke bërë të mundur për herë të parë lidhjen e drejtpërdrejtë me shtete, të cilat janë konsideruar strategjike për zhvillimin e ekonomisë së vendit", tha Balluku. Ndërkohë që ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj vlerësoi marrëveshjen e arritur, teksa siguroi se problematikat e nxjerra në raportin e BDO-së janë adresuar./Burimi: Shqiptarja.com