Secondary Adv

Kembimet e euros rane me 9 per qind ne 2020- BSH: Rritet besimi ndaj Lekut

BSH shprehet se kursi i këmbimit të Lekut ndaj Euros në 2020 ishte i qëndrueshëm, shprehur jo vetëm në nivelin e kursit, por edhe në spread-et e aplikuara nga agjentët.

 

Në analizën e Bankës së Shqipërisë, kriza solli rënie të njëkohshme të kërkesës dhe ofertës për valutë dhe volumi i këmbimeve pësoi rënie me 9% krahasuar me një vit më parë. Banka e Shqipërisë nënvizon se tregu vendas ka fituar pjekuri dhe po reagon në mënyrë më të përmbajtur ndaj zhvillimeve të papritura. Vitin e kaluar, nuk u vërejtën zhvendosje portofoli nga monedha vendase në ato të huaja, një reagim tipik që ka shoqëruar goditjet në ekonomi në të kaluarën. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo reflekton rritjen e besimit të agjentëve ekonomikë dhe të publikut të gjerë në monedhën vendase.

 

Si e vlerësoni ecurinë e kursit të këmbimit të Lekut me Euron dhe me valutat kryesore të huaja vitin e kaluar?

Ecuria e kursit të këmbimit kundrejt Euros ka qenë e qëndrueshme në vitin 2020, aq më tepër gjykuar në kontekstin e goditjes me të cilën ekonomia jonë u përball që në fillim të tij. Gjatë këtij viti, Euro është tregtuar me mesatarisht 123.8 lekë/euro, kundrejt mesatares prej 123.0 lekë/euro në vitin 2019, me një mbiçmim prej 0.7%. Qëndrueshmëria ka karakterizuar jo vetëm nivelin e kursit të këmbimit, por edhe treguesit teknikë që masin stresin dhe primet e rrezikut e të pasigurisë në të, siç janë spread-et e tregtimit dhe luhatshmëria.

 

Ecuria e Dollarit Amerikan në tregun vendas ka reflektuar dobësimin e tij kundrejt Euros në tregun ndërkombëtar, ku kursi Eur/USD u rrit nga niveli 1.12 USD/euro në fillim të vitit, në 1.22 USD/euro në fund të tij. Dollari Amerikan është dobësuar me 7.1% në këmbimin me lekun, prej rreth 108.5 lekë fund të vitit 2019 në rreth 100.8 lekë në fund të vitit 2020, duke shënuar nivelet më të ulëta prej muajit mars 2014. Përjashtim nga kjo ecuri bën goditja e fundit të muajit mars, me përhapjen e pandemisë në vend, e cila solli një nënçmim të dukshëm të lekut. Ky episod ishte gjithsesi afatshkurtër, falë edhe reagimit të shpejtë dhe të përshtatshëm të Bankës së Shqipërisë, dhe tregu u rikthye në normalitet brenda muajit prill.

 

Pse, në gjykimin tuaj, kriza nuk solli nënçmim të monedhës vendase në kursin e këmbimit me euron?

Ecuria e faktorëve makroekonomikë pas goditjes nga pandemia diktoi një rënie të njëkohshme të ofertës dhe të kërkesës për valutë, çka përcaktoi qëndrueshmërinë e lekut në një nivel vetëm lehtësisht më të ulët krahasuar me një vit më parë. Mbyllja e ekonomisë sonë dhe e vendeve partnere shkaktoi rënie të shkëmbimeve tregtare, që u materializua fillimisht në suficit të balancës tregtare. Nga ana tjetër, ndonëse flukset e turizmit rezultuan më të pakta, as llogaria kapitale dhe as ajo financiare nuk pësuan goditje të mirëfilltë, duke përmbushur nevojat për financim të huaj të ekonomisë.

 

Së fundi, edhe tregu vendas ka fituar një nivel pjekurie vitet e fundit, duke reaguar në mënyrë më të përmbajtur ndaj zhvillimeve të papritura dhe duke ulur inercinë e këtyre reagimeve. Kjo reflekton rritjen e besimit të agjentëve ekonomikë dhe të publikut të gjerë në monedhën vendase – gjatë këtij viti nuk u vërejtën zhvendosje portofoli nga monedha vendase në ato të huaja, një reagim tipik ky që ka shoqëruar goditjet në ekonomi në të kaluarën.

 

Cilët ishin faktorët që amortizuan efektin e krizës në kursin e këmbimit valutor?

Sikurse u përmend më lart, kërkesa dhe oferta për valutë gjatë vitit që lamë pas rezultoi e balancuar. Suficiti i bilancit tregtar në pjesën më të madhe të vitit, si dhe hyrjet e valutës për financimin e shpenzimeve të shtuara të qeverisë nëpërmjet eurobondit dhe huamarrjes nga FMN, ishin faktorët kryesorë që ndikuan në mospasjen e një goditjeje të qëndrueshme në vlerën e lekut. Nga ana tjetër, një treg më i konsoliduar/pjekur krahasuar me periudhat e mëparshme në të cilat kemi pasur goditje, ndihmoi në reagime të përmbajtura me natyrë psikologjike.

 

Cilat janë objektivat tuaja lidhur me nivelin e rezervës valutore për vitin 2021?

Në përputhje me politikën e saj monetare, Banka e Shqipërisë synon të mbajë një nivel rezervash valutore të mjaftueshëm për të garantuar aftësinë paguese të vendit në periudhë afatshkurtër, si dhe për të zbutur goditjet në ekonominë reale. Ky është objektivi strategjik i mbajtjes së rezervës valutore, i cili përkthehet në sigurimin e një niveli rezervash të mjaftueshëm për të mbuluar të paktën: 4 muaj importe; 100% të borxhit afatshkurtër të vendit. Në këtë kuadër, Banka analizon, në mënyrë periodike, nivelin e mjaftueshmërisë së rezervës valutore, me qëllim identifikimin në kohë të veprimeve që duhen ndërmarrë për të siguruar përmbushjen e objektivave të mbajtjes së saj.

 

Si e parashikoni ecurinë e kursit të këmbimit të Lekut me Euron dhe valutat kryesore të huaja në vitin 2021?

Pritjet tona janë që të kemi një stabilitet në tregun e brendshëm valutor ose, thënë ndryshe, ne presim që të gjithë operatorët e tregut të tregtojnë normalisht në të dyja krahët e tregtimit në këtë treg. Ndërsa, për sa i përket nivelit të tregtimit, siç e kemi thënë edhe herë të tjera, do të jetë vetë tregu që do ta përcaktojë në funksion të kërkesës dhe ofertës në valutë./Burimi: Monitor


Më të lexuarat