Secondary Adv

Nafta e anijeve te peshkimit perjashtohet nga taksat

 

Megjithëse heqja e taksave për naftën e mjeteve të peshkimit ishte pjesë e paketës fiskale të miratuar në fund të vitit të kaluar nga Kuvendi, u deshën 6 muaj deri në zbatimin në praktikë.


Sipas njoftimit të Ministrisë së Financave, udhëzimi është në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e procedurave, të sasive, të kushteve dhe kritereve të përjashtimit të anijeve të peshkimit nga taksa e qarkullimit dhe taksa e karbonit”.


Dokumenti që është hartuar dhe firmosur, së bashku me Ministrinë e Bujqësisë, përcakton përjashtimin nga taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe akciza karburantin (gazoil) për furnizimin e anijeve shqiptare të peshkimit. Sipas udhëzimit, u jepet e drejta të furnizohen me karburant (gazoil) për peshkim, pa paguar (me përjashtim) taksën e qarkullimit, taksën e karbonit dhe akcizën, por duke paguar TVSH-në, subjekteve të peshkimit (personat juridikë dhe fizikë) me destinacion përdorimi në anijet e peshkimit, që plotësojnë disa kushte. Ata duhet të kenë marrë statusin e pritësit të regjistruar.


Udhëzimi i dy ministrive saktëson se karburanti (gazoili) për peshkim duhet të jetë i ngjyrosur dhe se përqendrimi i ngjyrosjes gjatë gjithë kohës së tregtimit dhe përdorimit të karburantit (gazoil) të ngjyrosur duhet të mos ndryshojë. Në udhëzim thuhet, gjithashtu, se “subjektet e peshkimit mund të furnizohen brenda vendit me karburant (gazoil) me destinacion përdorimi në anijet e peshkimit, vetëm pranë operatorëve ekonomikë (shoqëritë furnizuese), të cilat administrojnë magazina të lira, magazina doganore ose magazina fiskale dhe që janë të autorizuara nga autoritetet doganore për të kryer ngjyrosje”.


Subjektet e peshkimit mund të furnizohen edhe jashtë territorit doganor të Republikës së Shqipërisë, me kusht që karburanti (gazoili) të jetë i ngjyrosur, sipas përcaktimeve të këtij udhëzimi. Aktualisht shumica dërrmuese e flotiljes së peshkimit furnizohet me naftë në Malin e Zi dhe në Itali, ku çmimi është i afërt me atë të bursës dhe nuk paguhen taksa. Ky çmim ka qenë deri tani më i favorshëm se në portet shqiptare. Me këtë udhëzim respektohen të gjitha detyrimet që përcakton ligji përkatës dhe vendimi i qeverisë në zbatim të tij, si dhe u krijohen lehtësi subjekteve të përfshira.


Informaliteti
Lehtësimi i peshkimit nga akciza për naftën e përdorur nga anijet ka qenë vendim në fuqi që nga koha e qeverisë “Berisha”, por zbatimi në terren ka qenë i vështirë.

Problemi kryesor që pengon marrjen e përfitimeve të këtij përjashtimi është informaliteti. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, plani për licencimin e subjekteve për vitin 2014 ishte 350 kontrata. Por, janë shqyrtuar për dhënien e lejeve për zhvillim të aktivitetit të peshkimit në det vetëm për 75 subjekte, që i përmbushnin kushtet dhe detyrimet për kryerjen e aktivitetit të peshkimit në det, sipas standardeve të përcaktuara.


Aktualisht, vetëm në Portin e Durrësit, ushtrojnë aktivitetin rreth 170 anije, nga të cilat vetëm 25% e tyre marrin furnizim karburanti pa taksa. Një pengesë tjetër për përfitimin e kësaj lehtësie është mungesa e pajisjeve teknike për furnizimin e anijeve direkt nga autobotet e caktuara prej doganës. Sektori i peshkimit ishte i përjashtuar nga pagesa e akcizës prej 37 lekë/litër. Nga data 1 janar 2015, sektori i peshkimit u përjashtua edhe nga taksa e qarkullimit dhe karbonit prej 30 lekë/litër, e cila e çoi në 67 lekë/litër masën e përjashtimit. Karburanti është një element qendror në koston e peshkimit, që zë afërsisht gjysmën e totalit të shpenzimeve.


Më të lexuarat