Secondary Adv

Tre Bashki kane shkollat me te mbingarkuara: Nevojiten investime shtese

Numri i nxënësve për mësues dhe dendësia në klasë sugjeron se, në bashkitë e Kamzës, Sarandës, Tiranës dhe Durrësit duhen rritur më tej investimet në shkolla.

 

Nga të dhënat e INSTAT mësohet se Bashkia e Kamzës numëron 19.4 nxënës për mësues, me raportin më të lartë në shkallë kombëtare. Gjithashtu bashkia ka edhe numrin më të lartë të nxënësve në klasë më mbi 28 të tillë. Pas Kamzës ngarkesa më e madhe në shkolla është në bashkinë e Tiranës. Në vitin shkollor 2019-2020 numri mesatar i nxënësve për klasë në Kryeqytet ishte 26, ndërsa një mësues shërben për 17,7 nxënës. E treta për ngarkesën e lartë mësimore është Saranda me 24.5 nxënës për klasë dhe Durrësi me 24.2 nxënës mesatarisht për klasë.

 

Në të kundërt bashkitë më ngarkesën më të ulët mësimore janë Pusteci me 5.4 nxënës për klasë, Dropulli 6.9, Skrapari me 7.8, Finiqi dhe Memaliaj me nga 8.2 secila. Gjithashtu këto bashki kanë edhe numrin më të ulët të nxënësve për mësues. Numri i nxënësve të arsimit parauniversitar ka shënuar një ulje të vazhdueshme në vlerë absolute. Në vitin shkollor 2019- 2020, morën pjesë në arsimin parauniversitar 480.798 nxënës dhe fëmijë, duke shënuar një ulje prej 4,2 %, krahasuar me vitin shkollor 2018-2019 dhe 10,4% krahasuar me vitin shkollor 2016-2017.

 

Rënia e numrit të nxënësve në vlerë absolute, ndjek rënien e popullsisë së grupmoshës që i përket arsimit parauniversitar. Në vitin shkollor 2019-2020, morën pjesë gjithsej në arsimin parashkollor 77.858 fëmijë, duke shënuar një ulje prej 1,4% krahasuar me vitin paraardhës dhe 4,0% krahasuar me 2016-2017. Në vitin shkollor 2019-2020, morën pjesë në arsimin 9-vjeçar 294.879 nxënës, duke shënuar një ulje prej 3,8 % krahasuar me vitin paraardhës dhe 10,1% krahasuar me 2016-2017. Në arsimin e mesëm privat ndjekin studimet 11,6% e nxënësve të arsimit të mesëm gjithsej.

 

Sidoqoftë vërehen ndryshime të mëdha ndërmjet qarqeve Shkodër, Fier, Vlorë dhe Tiranë, të cilat kanë përqindjen më të lartë të arsimit të mesëm privat, dhe qarqeve Gjirokastër, Elbasan dhe Berat ku arsimi privat përbën vetëm një përqindje të vogël. Në qarqet e Kukësit dhe Dibrës nuk ka arsim të mesëm privat. Në vitin 2019, 34.982 nxënës ose 96,4% e nxënësve të rregjistruar të klasës së nëntë të vitit shkollor 2018-2019 përfunduan arsimin 9-vjeçar, duke shënuar një rënie prej 1 pikë përqindje, krahasuar me vitin paraardhës. Në vitin 2019, 34.021 nxënës u diplomuan në arsimin e mesëm, me një rënie prej 3,6%, krahasuar me vitin 2018./Burimi: Montior


Më të lexuarat