
Ja cfare ndryshon pas zgjedhjeve per bizneset dhe individet
Zgjedhjet e ditës së djeshme lokale vijnë si më të rëndësishmet që nga fillimi i tranzicionit 1990 për shkak të kufijve të rinj administrative që zgjerojnë territoret e qeverisjes së re vendore më shumë se, 6 herë.
Që nga nesër, qytetarët, biznesi, dhe kryebashkiakët do të vihen para sfidave të reja, të cilat nëse përballohen do të ndikojnë pozitivisht në jetën sociale dhe ekonomike të njësive të reja, në të kundërt reforma e re mund të kthehet në bumerang sidomos për zonat rurale. Situata në disa rajone sidomos për pjesën rurale mund të përkeqësohet nëse kryebashkiakët e rinj nuk do të shtrijnë menaxhimin njësoj si për qendrat e urbanizuara si për fshatrat.
Risitë për bizneset
Me ndarjen e re administrative bizneset do të riformatohen drejt sipërmarrjeve më të mëdha për shkak se, projektet do të formësohen në funksion te të gjithë rajonit dhe jo vetëm në një ose dy tre fshatra. Gjithashtu ato do të kenë mundësi të hyjnë në partneritet me pushtetin lokal për projekte dhe investime. Njësitë e reja do jenë më të mëdha, ndaj biznesi do të ketë kapacitete më të mëdha për investime, që do të thotë më shumë mundësi fitimi. Ndarja e re i hap rrugë zhvillimit të zonave rurale si resurse turistike në administrimin nga Bashkia. Bie fjala zona e Dardhës në Korçë dhe Valbonës në Tropojë mund të pësojnë zhvillime rrënjësore nën qeverisjen e re vendore e parë kjo si një burim të ardhurash.
Çfarë ndryshon për qytetarët
Për qytetarët krijohen hapësira të reja gjithashtu. Kostot për kryerjen e shërbimeve nuk do të rriten pasi qendrat e komunave do të funksionojnë si njësi të vogla shërbimesh, për të lëshuar vërtetime apo të kryer verifikime. Por për qytetarët hapet një derë e re komunikimi, ku përveç njësisë vendore problemet e tyre ritrajtohen nga bashkia. Të grupuar në shoqata dhe grupe të tjera interesi, qytetarët do të kenë mundësi të lobojnë për projektet e lokaliteteve të tyre dhe të bëhen pjesë e vendimmarrjes. Njësitë e qeverisjes vendore do të kenë më shumë kompetenca dhe fonde për t’u shërbyer qytetarëve në mënyrë më efikase dhe për t’u ofruar atyre shërbime me standarde të Bashkimit Europian.
Pushteti i ri i kryebashkiakëve
Kryebashkiakët e rinj do të kenë më shumë kompetenca që rrjedhin nga ndarja e re. Pushteti i të zgjedhurve të rinj do të zgjerohet si nga hapësira gjeografike dhe numri i popullsisë. Ata do të kenë të drejtë të miratojnë nivelin e taksave vendore dhe të grumbullojnë ato. Gjithashtu është menduar koncepti e “tax share”, ku bashkitë që nxisin grumbullimin e sigurimeve shoqërore dhe tatimeve të tjera për llogari të buxhetit qendror mund të përftojnë një pjesë të këtyre tatimeve për nevojat e veta.
Pushtetarët e rinj vendorë kanë kompetenca të marrin borxh dhe të emetojnë obligacione njësoj si qeveria për të zhvilluar projektet e tyre. Ata do të mund të japin me koncesion dhe të zhvillojnë partneritetin publik dhe privat për shërbime dhe investime të ndryshime. Kryebashkiakët e rinj do të kenë kompetenca të reja në politikat e arsimit dhe të shëndetësisë në përputhje me nevojat e zonës, pasi sot këto funksione drejtohen nga pushteti qendror.
Kompetencat reja për shërbimeve, financat dhe ekonominë
Shërbimet
-Decentralizim i fondit të ndihmës ekonomike në buxhetin lokal
-Decentralizim i plotë i kompetencës për emërimin e personelit në arsimin parashkollor.
-Reformimi tërësor në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve.
-Reformim i plotë i sektorit të menaxhimit të mbetjeve urbane.
-Decentralizimi i shërbimit të zjarrfikëseve në nivel lokal.
Financat
-Për herë të parë një ligj për financat vendore.
-Reformim i sistemit të taksimit të pasurisë. Krijimi i kadastrës fiskale.
-Formulë e re për ndarjen e grantit të pakushtëzuar
-Aplikim i sistemit të taksave të ndara.
Zhvillimi i ekonomik
-Decentralizimi i administrimit të pyjeve dhe kullotave, duke transferuar në pronësi të qeverisjes vendore 100% të fondit pyjor.
-Decentralizimi i drejtorive rajonale të shërbimit pyjor së bashku me financimin përkatës.
-Decentralizimi i i kompetencës së administrimit të infrastrukturës dhe rrjetit dytësor dhe tretësor të ujitjes dhe kullimit.
-Decentralizimi tek bashkitë e reja i funksionit të administrimit të rrugëve rurale.
Struktura e re e qeverisjes vendore
Struktura e qeverisë vendore në Shqipëri aktualisht është e organizuar në dy nivele. Bashkitë janë njësi bazë e qeverisjes vendore, që përfaqësojnë nivelin e parë të qeverisjes. Ndërsa qarqet janë njësi të nivelit të dytë. Para hyrjes në fuqi të ligjit për ndarjen e re administrativo-territoriale, Shqipëria ndahej në 308 komuna dhe 65 bashki në nivelin e parë dhe 12 qarqe në nivelit e dytë.
Ndarja e re administrativo-territoriale është me 12 qarqe dhe 61 bashki. Bashkitë janë të organizuara me njësi administrative përbërëse (ish-komunat) si nënndarje administrative të tyre. Tirana ka 24 njësi administrative përbërëse (11 njësitë bashkiake dhe 13 ish-komuna).
Bashkitë nga pikëpamja urbanistike vazhdojnë të jenë të organizuara në qytete dhe fshatra. 12 Qarqet nuk ndryshuan me ndarjen e re administrativo-territoriale por struktura përbërëse e tyre bashkitë dhe komunat ndryshuan thellësisht. Me ndarjen e re, qarqet kanë në përbërjen e tyre mesatarisht 5 bashki nga 31 njësi vendore që kishin më parë me ndarjen e vjetër. Në këtë kontekst, Qarku me rolin e tij bashkërendues në harmonizimin e politikave kombëtare me ato vendore dhe rajonale bëhet më i lehtë dhe më efiçent.
Bashkia përbëhet nga disa njësi administrative, sipas lidhjeve tradicionale, historike, ekonomike dhe sociale. Njësitë administrative në territorin e një bashkie, shtrirja e tyre territoriale dhe emri përcaktohen me ligj. Njësitë administrative përbëhen nga qytetet dhe/ose fshatrat. Shtrirja territoriale, emri i qyteteve dhe fshatrave, pjesë e çdo njësie administrative, përcaktohen me ligj. Shpallja e qyteteve të reja bëhet me ligj. Qytetet mund të ndahen në njësi më të vogla që quhen lagje. Një lagje mund të krijohet vetëm në territore, që si rregull kanë mbi 20 mijë banorë. Ndarja e qyteteve në lagje dhe shtrirja e tyre territoriale miratohet me vendim të këshillit bashkiak
Komunat shndërrohen në njësi administrative
Komunat dhe bashkitë që suprimohen me ndarjen e re do të funksionojnë si njësi administrative përbërëse të 61 bashkive të reja. Në njësitë administrative funksionon administrata që drejtohet nga administratori. Administratori emërohet dhe shkarkohet nga kryetari i bashkisë dhe është përgjegjës para tij për funksionimin dhe veprimtarinë e administratës. Administratori duhet të ketë vendbanimin në njësinë administrative përkatëse. Struktura dhe organika e administratës së njësive administrative, është pjesë e strukturës dhe organikës së administratës së bashkisë.
Administrata e njësisë administrative është zyrë e shërbimit për të gjitha procedurat administrative në kompetencën e bashkisë. Mbikëqyr territorin për zbatimin e ligjit në të gjitha fushat në kompetencën e bashkisë dhe njofton strukturat kompetente të bashkisë në rast të konstatimit të veprimeve në
kundërshtim me ligjin. Mbështet punën e strukturave kompetente të bashkisë. Bazuar në vendimin e këshillit të bashkisë mund të administrojë parqet, lulishtet dhe zonat e gjelbëruara dhe tregjet publike. Njësitë mund të administrojë këndet e lojërave, terrenet sportive, bibliotekat, shtëpitë dhe klubet e rinisë. Gjithashtu njësia e vogël administrative përgatit dhe i propozon kryetarit të bashkisë planin për investimet nën juridiksionin e saj territorial si dhe mbikëqyr, pas miratimit, zbatimin e tyre sipas ligjit.
Gjithashtu Administratori i njësisë administrative është organi kompetent për konstatimin dhe shqyrtimin e kundërvajtjeve administrative, të përcaktuara si të tilla me akte të këshillit bashkiak, brenda juridiksionit të caktuar territorial.
Ndryshimet në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore “ lë afat se nga 1 janari 2018, këshilli i bashkisë ka kompetencën të vendosë për riorganizimin e administratave të njësive administrative, të cilat mund të mbulojnë territorin e një ose më shumë njësive administrative brenda bashkisë, sipas nevojave të komuniteteve vendore dhe efektshmërisë administrative.
Formati i ri i shërbimeve sociale
Funksioni i shërbimit social vendor do të decentralizohet dhe do të kalojë në kompetencë të bashkive. Në çdo bashki do të krijohen zyrat e integruara të shërbimit social dhe do të hartohet një “shportë e shërbimeve bazë” të cilat do të financohen nga buxheti shtetit.
Në nivel bashkie do të hartohen Planet Lokale Sociale. Bashkitë do të kompetencë të ofrojnë shërbime shtesë në fushën e shërbimeve sociale dhe përkujdesjes shoqërore, përtej “shportës të shërbimeve bazë”.
Financimi i këtyre shërbimeve shtesë do të bëhet nga buxhetet lokale që për këtë qëllim mund të krijojnë instrumente financiare si p.sh.,( Fondi Social Lokal).
Përmirësimi i kapaciteteve menaxhuese dhe cilësisë së shërbimeve sociale në lidhje me jetimoret, qendrat ditore, shtëpitë e të moshuarve, etj., do të jetë pjesë e prioriteteve të qeverisë në sektorin social.Ofrimi i shërbimit do të bazohet në një listë të paracaktuara të shërbimeve dhe standardeve minimale që do të hartohen nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
Strehimi social do të reformohet në harmoni me strategjinë e re të strehimit. NJQV-të do të nxiten për të krijuar bashkëpunime me sektorin privat dhe/ose jofitimprurës për të siguruar një strehim të përballueshëm për shtresat në nevojë, duke ofruar lehtësi fiskale dhe troje publike për strehim social.
Çdo bashki e re do të ketë planet 10-vjeçare të strehimit social dhe do të planifikojë fondet specifike për këtë funksion. Qeveria qendrore do të vijojë politikën e investimeve nëpërmjet Entit Kombëtar të Banesave duke plotësuar kërkesat në rritje të bashkive.
Në bashkëpunim me MAS do të synohet një rritje të aktiviteteve sportive dhe shtim të ambientet sportive përkatëse në dobi të komuniteteve vendore. Kultura Qëllimi i qeverisë është të rrisë fondet e caktuara për NJQV për nxitjen dhe krijimin e kushteve që mundësojnë turizmin dhe trashëgiminë kulturore, veprimtari të përgjithshme kulturore që krijohen dhe realizohen në nivel vendor. Do t’u jepet mbështetje NJQV në ngritjen e një sistemi të integruar të zhvillimit të zonave dhe objekteve të trashëgimisë kulturore.
Buxheti i pushtetit vendor, si do të kursehen 60 milionë USD
Sipas planifikimeve aktuale ndarja e re territoriale do të kursejë 60 milionë dollarë në vit si shpenzime administrative të cilat do ti kthehen pushtetit vendor në formën e investimeve.
Sjellja e pushtetit lokal në standardet që pretendohet nuk do të jetë e lehtë. Pasi duhen ndërmarrë 150 masa ligjore, teknike dhe administrative dhe duhen të paktën 9 miliardë lekë ose 66 milionë euro, ku rreth 60 për qind e shumës mbetet e pafinancuar. Periudha transitore është parashikuar të shtrihet deri në 2020, por nëse deri atëherë mund të ketë një rrotacion politik, ndarja e re rrezikon meremetime dhe të tjera politike.
Mesatarisht bashkitë dhe komunat në Shqipëri shpenzojnë 27% të buxhetit të tyre për investime kapitale dhe 37% për pagat e punonjësve. 40 njësi shpenzojnë mbi 80% të buxhetit të tyre vetëm për pagat e punonjësve, ndërsa 230 njësi shpenzojnë mbi 60% të buxhetit të tyre për pagat e punonjësve.
Me krijimin e njësive më të mëdha të qeverisjes vendore krijohen kushtet e nevojshme për zhvillim social-ekonomik dhe përthithjen e investimeve të mëdha nga institucionet publike, Bashkimi Europian, donatorët ndërkombëtarë dhe sektori privat. Reforma administrativo-territoriale do të ulë pabarazinë në shërbime, financime, të ardhura e zhvillim që ekziston sot mes qendrave të mëdha urbane dhe zonave rurale./Monitor
Më të lexuarat









