Nis zbatimi i ligjit edhe per token bujqesore: Risite dhe lehtesite e fundit
Kadastra Shqiptare ka thënë nëpërmjet një njoftimi se është duke marrë masat e fundit organizative për aplikimin në territor të legjislacionit të ri për tokën bujqësore.
“Dokumentacioni ekzistues i tokës po mblidhet pranë drejtorive tona rajonale nga të gjitha burimet e Bashkitë, njësitë vendore, këshillat e qarqeve, etj. Gjendemi në momentet e zbatimit të reformës më të madhe në fushën e pronësisë në vend që prej vitit 1991 dhe duhet të jemi bashkërisht entuziastë për këtë gjë” shkruan Kadastra në njoftimin e bërë. Nga ana tjetër, Kadastra përmend edhe risitë e VKM- ve, të cilat u miratuan në dhjetor 2020, të cilat plotësojnë Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP).
Disa nga risitë e të dy akteve (VKM 1147 DHE 1182): Për AMTP e regjistruara përpara hyrjes në fuqi të ligjit 20/2020, nuk shqyrtohet më legjitimiteti i titull-mbajtësit. Pra pronarët do ta disponojnë lirisht pronën. Në kategorinë e AMTP-ve të regjistrueshme, janë shtuar edhe AMTP që janë lëshuar për personat që u është hequr e drejta e pronësisë me krijimin e ish-kooperativave bujqësore apo ish-ndërmarrjeve bujqësore ose trashëgimtarët e tyre. Nuk shqyrtohet më sipërfaqja e përfituar me AMTP në raport me sipërfaqen takuese sipas normës për frymë.
Llojet e tokës së përfituar me AMTP, për të cilat nuk regjistrohet AMTP-ja mbeten vetëm 4:
a) truall;
b) vepër e infrastrukturës publike;
c) rërë bregdetare, plazh;
d) sipërfaqe ujore.
Shqyrtimi i dokumentacionit të ndarjes së tokës bujqësore, kryhet vetëm nga ASHK.
Krijohet mundësia e blerjes së sipërfaqes që posedohet mbi atë çfarë përcaktohet në titullin e pronësisë apo dokumentin e përdorimit. Krijohet mundësia e regjistrimit apo edhe përfitimit të aktit të pronësisë për tokën që disponohet në fakt, pavarësisht se ku mund ta jetë përcaktuar vendndodhja sipas AMTP/dokumentacionit të ndarjes së tokës bujqësore, kur s’ka konflikte. Në kategorinë përfituesve, kur janë përdorues faktikë të tokës bujqësore, janë shtuar personat që u është hequr e drejta e pronësisë me krijimin e ish-kooperativave bujqësore apo ish-ndërmarrjeve bujqësore ose trashëgimtarët e tyre./Burimi: Scan