Investimet kineze ne Shqiperi, interes per sektorin energjetik
Kompanitë kineze shfaqin interes për investime në sektorin energjetik në Shqipëri. Kina do të mbështesë Shqipërinë me investime të rëndësishme në fushën e energjisë, infrastrukturës, arsimit dhe ekonomisë, ky ishte premtimi që është dhënë gjatë takimit mes kryeministrit të Kinës, Li Keqiang dhe kryeministrit Shqiptar shtatorin e vitit të kaluar.
Gjatë një interviste në TV SCAN, anëtari i Bordit të Dhomës Kineze të Tregtisë, Vasil Gjika, ka thënë se kompani, ndër më presigjozet në sektorin e prodhimit të energjisë kanë shfaqur interes për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës.Një vepër, që sipas studimit të fizibilitetit, ka një kosto ndërtimi prej 650 milionë dollarë dhe kapacitet gjenerimi prej të paktën 250 megavat.
Investitorët kinezë janë të pranishëm në vendin tonë, duke përfunduar projekte të mëdha infrastrukturore, si ndërtimi i rrugës së Arbrit. Gjithashtu, investitorët kinezë kanë shprehur interes edhe për investime në sistemin hekurudhor dhe portual.
China Pacific Construction Group Dy muaj më parë njeriu i shtatë më i pasur në Kinë, kreu i “China Pacific Construction Group”, i ktheu sytë nga Europa, ku stacioni saj i parë është Shqipëria. Yan Jiehe, kreu i kësaj kompanie shfaqet shumë miqësor me mediat. Nuk nguron të na rrëfejë përmes një interviste sesi i është dukur kryeqyteti në këtë vizitë të tij të parë, dëshirën për të investuar në Shqipëri në sektorin e infrastrukturës, ku projekti primar për të mbetet Korridori i tetë.
“që më shtyu të investoja këtu është fakti që vendet tona kanë marrëdhënie shumë të mira politike dhe është koha për të ecur në një stad më të lartë në atë të ndërtimit të marrëdhënieve financiare dhe për këtë jemi këtu. Kompania jonë operon në dy aspekte, së pari janë ndërtimet në infrastrukturë dhe së dyti është vizioni ynë për të ndërtuar një qytet të zgjuar”.
Por me çfarë klime biznesi i mirëpret tregu shqiptar investitorët e huaj dhe si mund t’i vijë në ndihmë këtyre sipërmarjeve të mëdha shteti shqiptar. Yan Jiehe, e ka një përgjigje: “Ne jemi duke planifikuar disa projekte që përfshijnë Shqipërinë dhe gjithën rajonin. Momentalisht kemi një projekt për korridorin 8 dhe mundësitë për të investuar aty”.