Shpallet tenderi: 50 mln leke per rikonstruksionin e Markates se Durresit
Bashkia Durrës ka shpallur një tender me fond 49.9 milionë lekë, për rikonstruksionin e markatës së Durrësit.
“Zona në te cilën do te ndërhyhet ndodhet në qendër te qytetit te Durrësit n një nga arteriet kryesore të hyrjes në qytetit, rruga e ”Dëshmoreve”. Ka një sipërfaqe rreth 1.4 ha. Nëpërmjet këtij projekti, Bashkia e Durrësit synon të përmirësojë shërbimin në tregun kryesor të qytetit si një nga elementet kryesore të organizmit funksional të tij, duke e shndërruar atë edhe si një pike referimi. Në tërësi tregu vazhdon funksionimin e tij, por ndodhet në kushtet e utilitetit minimal dhe plotëson pikërisht këto kushte, duke mos lënë vend për kënaqësinë e të shërbyerit nga ky funksion organik i qytetit” shkruhet në detajet e tenderit.
Referuar dokumentacionit bashkangjitur tenderit, projekti synon të unifikojë mjediset e hapësirës tregtuese.“E gjithë hapësira e zonës së Tregut, do të unifikohet në plan dhe në volumetri, duke u parashikuar një frymë projektimi peizazhist, projektimi arkitektonik konform parametrave dhe kërkesave bashkëkohore për sheshet e rëndësisë të veçantë në qendrat publike, duke ruajtur gjithnjë tiparet e elementëve arkitektonike, urbanistike dhe kulturore të trashëguara në vite në këtë zonë” shpjegohet më tej në projektin e shpallur në APP. Rikualifikimi i markatës së Durrësit parashikohet të manifestohet brenda një afati 4 mujor, që nga nënshkrimi i kontratës me subjektin fitues./Burimi: SCAN