Secondary Adv

Shqiperia regjistroi 3 muaj me rekord fatalitetesh: 25,8 per qind me shume se ne 2019

5.668 vdekje më shumë se në 2019 janë regjistruar në vitin e kaluar, që ishte i mbërthyer nga pandemia COVID-19.

 

Konkretisht bazuar në të dhënat e INSTAT në vitin e kaluar kanë humbur jetën 27.605 persona me një rritje prej 25,8 %, krahasuar me një vit më parë, kohë kur janë shënuar 21.937 humbje jete. Muajit më të errët për vdekjet në vend janë tetor-nëntor-dhjetor, ku INSTAT raporton se numri i fataliteteve në vend është rritur me 73.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Konkretisht në këtë periudhë janë regjistruar 9.397 vdekje nga 5.421 që ishin në tremujorin e fundit të vitit 2019.

 

Ky tremujor përkon edhe me periudhën kur numri i rasteve të infektuara me COVID-19 dhe numri i fataliteteve regjistronin shifra rekord. Por përpos rritjes së shifrave, deri në fund të vitit 2020, sipas raportimeve të Ministrisë së Shëndetësisë nga virusi kanë ndërruar jetë 1181 qytetar. Në tremujorin e katërt 2020 tregon se janë 2.386 vdekje më shumë se sa lindje, ndërsa për vitin 2020 shtesa natyrore ishte 470 lindje më shumë se vdekje.

 

Sipas INSTAT në tremujorin e katërt 2020, Dibra dhe Kukësi janë dy qarqet e vetme të vendit që shënojnë shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në qarqet e tjera, shtesa natyrore e popullsisë është negative. Gjatë vitit 2020, katër qarqe të vendit shënuan shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në qarqet e tjera, shtesa natyrore e popullsisë ishte negative. “Në tremujorin e katërt 2020, të gjitha qarqet e vendit shënojnë rritje të numrit të vdekjeve, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

 

Në tremujorin e katërt 2020, qarku me numrin më të ulët të vdekjeve është Kukësi, me 199 vdekje, ndërsa qarku me numrin më të lartë është Tirana, me 2.504 vdekje. Rritjen më të lartë në përqindje të vdekjeve, gjatë tremujorit të katërt 2020 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, e zë qarku i Fierit, me 101,6 %. Gjatë vitit 2020, të gjitha qarqet e vendit shënuan rritje të numrit të vdekjeve, në krahasim me vitin 2019.

 

Numri më i ulët i vdekjeve regjistrohet në qarkun e Kukësit, me 627 vdekje, ndërsa numri më i lartë, në qarkun e Tiranës, me 7.129 vdekje, për vitin 2020. Rritjen më të lartë në përqindje të vdekjeve, gjatë vitit 2020, krahasuar me vitin 2019, e zë qarku i Lezhës, me 34,2 %”, thuhet në raportin e INSTAT. Nga ana tjetër numri i lindjeve, gjatë vitit 2020 ishte 28.075 foshnja, duke shënuar një rënie me 1,7 %, krahasuar me një vit më parë./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat