
Lagjja e re ne Kombinat: Banesat ne pronesi te qytetareve, ja ku do ndertohen pallatet
Pesë familjet e para, shtëpitë e të cilave u dëmtuan nga tërmeti, u pajisën me kontratën që siguron strehimin e tyre, me një apartament të ri, në “KombinArt”.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministri i Rindërtimit Ahmetaj, u dorëzuan sot kontratat e firmosura pesë familjeve, pjesë e grupit të parë me 200 familje që firmosën të parat kontratën e porosisë, pas miratimit nga Këshilli Bashkiak i Tiranës. “Do të vazhdojmë bashkë me shërbimin noterial, të firmosim të gjitha kontratat në bashki, e më pas të transferohemi në Kombinat, ku të gjithë banorët do të nënshkruajnë kontratën e porosisë”, u shpreh Veliaj. Ai shtoi se vendimi për të shembur pallatet e vjetra, të dëmtuara nga tërmetet, ishte vendimi më i vështirë, edhe për shkak të nostalgjisë, por theksoi se duhej bërë për të mirën e banorëve.
Apartamentet që do të marrin banorët do të vlejnë më shumë, me hapësira më të mëdha se ato që kanë pasur. Veliaj shprehu bindjen se dy lagjet e reja që do të ndërtohen, “5 Maji” dhe “KombinArt”, do të rrisin vlerën e pronës, ashtu siç ka ndodhur në zona të tjera të qytetit, të cilat janë transformuar rrënjësisht. Ai sqaroi mënyrën se si do të vijojë procesi i pajisjes me kontratat e apartamenteve për të 200 familjet, ndërsa theksoi se ky është një projekt social dhe nuk është për ata që kanë nga 4 apo 5 shtëpi.
“Shtëpia i jepet dikujt që s’ka shtëpi. Nëse dikush ka 4 ose 5 shtëpi dhe ajo që iu dëmtua nga tërmeti ishte thjesht një prej tyre, ky projekt social nuk është për ta. Ky projekt social është për ata që realisht kanë nevojë për strehim. Ne do të vazhdojmë të paguajmë bonusin e qirasë deri ditën kur kjo kontratë-porosie do të përkthehet në hipotekë dhe derisa të marrin çelësat e shtëpisë së re”, vijoi Veliaj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se apartamentet do të jenë në pronësi të banorëve dhe jo të shtetit, si dhe sqaroi se te vendi i pallateve të vjetra do të bëhen parqe lojërash apo terrene sportive në shërbim të komunitetit.
“Shtëpitë do të jenë në pronë të qytetarëve, të kryefamiljarëve, e fëmijëve apo familjarëve të tyre, i asaj familje përjetë. Jo të shtetit, jo me detyrim kthimi dhe me asnjë detyrim tjetër që të lidh me shtetin. Në momentin që shtëpia bëhet e jotja, mund të bësh me të dhe ta trajtosh si çdo shtëpi, apo si çdo pronë tjetër në qytetin tonë. Legjenda tjetër urbane është se do ndërtohen pallate në vendin e pallateve të vjetra, por kjo është tërësisht e pavërtetë. Prona do mbetet publike, do t’i kthejmë në terrene sportive dhe në parqe”, u shpreh Veliaj.
Ndërsa, ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj, tha se shtëpitë do të jenë më të mira, më të forta, më të bukura. “Nesër kur t’ju pyesin ku jetoni, unë jam i bindur se të gjithë ju do thoni ne jetojmë në njërën nga 4 qendrat e Tiranës. Me ndërtimin e “5 Majit”, me ndërtimin e Kombinatit, nuk do ketë më vetëm një qendër “Sheshi Skënderbej”, do ketë disa qendra. Do jetë qendra e “5 Majit” fantastike. Gjithë zona do lidhet me Bulevardin kryesor, 400 metra nga bulevardi kryesor. Do të jetë shkolla, do jetë qendra IT, godina e Tatimeve, Doganave, apo godina të tjera publike”, përfundoi Ahmetaj./Burimi: abcnews.al
Më të lexuarat








