Secondary Adv

Shqiperia rrezikon te humbase miliona ne Arbitrazh: Ja kontratat me te kushtueshme

Qeveria shqiptare po përballet me shumë gjyqe në Arbitrazh për shkak të prishjes së kontratave.

 

Akuzat kanë qenë të shumta nga Presidenti dhe opozita në muajt e fundit, ndërsa disa kompani kanë nisur të kërkojnë shumat e faturave që gjykata u ka dhënë të drejtë. Por sa është fatura që rrezikon që të paguajë Shqipëria? Kur kanë filluar problemet? Cilat janë kompanitë me të cilat po përballemi në gjyq? Dy nga gjashtë çështjet i takojnë vitit 2020. Në total, dëmshpërblimi potencial llogaritet rreth 450 milionë euro. Për disa prej çështjeve, shqyrtimi është ende në fazat e hershme dhe nga ana e gjykatave nuk është dhënë një vendim në favor të njërës apo tjetrës palë, shkruan Monitor në analizën e gjatë dhe të hollësishme që ka bërë për këtë cështje. Vetëm në harkun e një muaji, Avokatura kërkoi tre studio ligjore të huaja.

 

Bilanci në Arbitrazh

Ministria e Financave tha zyrtarisht se vendimet e arbitrazheve, nëse nuk kanë marrë formë të prerë, konsiderohen si detyrime kontingjente për buxhetin. Financat pohojnë se kanë dy detyrime të tilla, “Hydro dhe të tjerët kundër Shqipërisë” (Becchetti) për 108 milionë euro (për të cilin Avokatura e Shteti ka kërkuan anulimin) dhe Detyrimin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural prej 550,000 eurosh, për çështjen e Arbitrazhit “Valeria Italia S.R.L”.

 

Becchetti kërkon të mbledhë 108 mln euro

Përballja e Shqipërisë me investitorin italian, Francesco Becchetti, në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve, përfundoi me një vendim në favor të tij, duke i akorduar një kompensim prej 108 milionë eurosh. Vendimi është i formës së prerë dhe sipas mediave ndërkombëtare muajve të fundit, investitori ka synuar mbledhjen e parave në llogaritë që shteti shqiptar ka jashtë kufijve, ndërkohë që qeveria thekson se beteja ende nuk ka mbaruar. Referuar faqes së arbitrazhit ndërkombëtar ku është regjistruar kjo çështje, Shqipëria ka kërkuar anulim të tij.

 

Përballja me “Aktor” dhe “Copri” mbyllet me humbje 45 milionë USD

Por Becchetti nuk është i vetmi. Një tjetër dënim që duket se ka marrë formë të prerë është ai i shtetit shqiptar përballë bashkimit të kompanive “Copri” dhe “Aktor”, të cilat ishin të angazhuara në ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan. Gjykata ndërkombëtare dha vendim, në fund të vitit të shkuar, duke dënuar autoritetet shqiptare dhe duke parashikuar kompensim 45 milionë dollarë për palën paditëse.

 

“Dondi & Kubota” kundër Shqipërisë, humbja llogaritet 90 milionë euro

Në datë 29 dhjetor 2020, Avokatura e Shtetit njoftoi se po kërkonte një studio ligjore të huaj. Kjo lidhej me përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, MIE, në çështjen e arbitrazhit të nisur përpara forumit të ICC. Por cila ishte çështja që shqetësonte këtë herë Avokaturën. Bëhet fjalë për përballjen me bashkimin e kompanive “Dondi & Kubota”. Kompania ishte zbatuese e projektit të vendosur në zonën e Kasharit dhe po zbatohej nga kontraktori italo-japonez “Dondi Kubota” falë një kredie të butë të dhënë nga qeveria e Japonisë, rreth 79 milionë USD.

 

Kjo kontratë është ndërprerë në datën 04.07.2018 dhe deri në këtë datë, punimet ishin kryer rreth 70% ose në vlerën 56 milionë euro” – nënvizon KLSH. Ky i fundit analizon se kompania që është ankimuar në Arbitrazh, me shumë gjasa mund të fitojë dhe në këto kushte, humbja e shtetit shqiptar do të llogaritej në 90 milionë euro, nga ku 20 milionë ishin pretendim në gjykatë. KLSH konstatonte se kompanisë i janë vonuar pagesat për një periudhë 3-vjeçare, ndërkohë që i janë vonuar edhe lejet e nevojshme për punime.

 

Parku i Akërnisë në letër, Arka Energy B.V. kërkon 110 milionë euro

Në 18 dhjetor të vitit të shkuar, pranë Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) u regjistrua një tjetër çështje kundër Shqipërisë. Këtë herë, pretendimi vinte nga një kompani në sektorin energjetik, e cila nuk ishte dakord me tërheqjen e qeverisë shqiptare nga një kontratë për një park fotovoltaik. Bëhet fjalë për çështjen “Arka Energy B.V”, kundër Shqipërisë. Deri më sot, nuk është dhënë asnjë shifër zyrtare mbi pretendimin që ka kjo kompani, por burimet konfirmuan për “Monitor” që dëmshpërblimi i kërkuar ishte 110 milionë euro.

 

Përplasja me “Durrës Kurum Shipping” mund të kushtojë 100 milionë euro

Në 23 shtator 2020, pranë ICSID, u regjistrua një tjetër çështje kundër Shqipërisë. “Kompania Durrës Kurum Shipping” dhe të tjerë paditën shtetin duke kërkuar 100 milionë euro kompensim për prishje të njëanshme të kontratës. Nga momenti i regjistrimit të kësaj çështje, sipas faqes zyrtare të qendrës, zhvillimi më i fundit i takon datës 27 janar 2020, kur Philippe Sands tërhoqi “pranimin” e tij të bërë më herët për të qenë arbitër i ngarkuar në këtë çështje. Vitin e kaluar, duket se palët kanë pasur përplasje, e kështu “Durrës Kurum Shipping” t’i drejtohej arbitrazhit./Burimi: Monitor


Më të lexuarat