Secondary Adv

Borxhi arrin ne 77.8 per qind te PBB ne 2020: Shkak pandemia dhe termeti

Stoku i borxhit publik arriti mbi 1,2 trilionë lekë në fund të vitit 2020 dhe në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto shënoi 77.8%.

 

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave përgjatë vitit 2020 shtesa mbi stokun e borxhit ishte mbi 111, 7 miliardë lekë ose 908 milionë euro si rrjedhojë e ngjarjeve të pazakonta që lidhen me tërmetin dhe pandeminë. Realizmi faktik i borxhit ishte më i ulët se plani i qeverisë që parashikonte treguesin në 79,9 për qind të PBB më 2020. Rritja e raportit të borxhit më PBB me 11,1 pikë përqindje brenda një vitit u shty nga dy faktorë kryesorë. E para ulja e pritshme e PBB-së së 2020-s me 107 miliardë dhe e dyta rritja e deficitit buxhetor në rekorde historike në një vlerë prej 110 miliardë lekësh më 2020-n.

 

Një pjesë e borxhit të ri u përdor kryesisht për kompensuar rënien e të ardhurave buxhetore prej 20,6 miliardë lekësh në raport me planin e rishikuar të vitit 2020. Gjatë viteve 2016-2019, nevojat për hua në raport me PBB janë ulur, ndërsa gjatë 2020, huamarrja shënoi rritje në linjë me nevojat buxhetore të rritura në kuadër të menaxhimit të situatës së krijuar nga përhapja e pandemisë COVID. Burimi kryesor i huamarrjes vazhdon të mbetet tregu i brendshëm, megjithëse gjatë vitit 2018 dhe vitit 2020, ka pasur një rritje në drejtim të financimit të huaj si rezultat i emetimit të Eurobondeve dhe mbështetjeve buxhetore të akorduara nga institucionet financiare ndërkombëtare.

 

Gjatë pesë viteve të fundit huamarrja e huaj ka mbuluar mesatarisht rreth 17% të nevojave të përgjithshme të qeverisë për hua. Burimet kryesore të financimit mbeten burimet shumëpalëshe dhe ato dypalëshe, të cilat kryesisht janë përdorur për të financuar projektet prioritare, si edhe politikat zhvillimore dhe reformat e ndërmarra nga qeveria. Këto burime kanë pasur një ndikim të rëndësishëm kryesisht në aspektin e optimizimit të kostove të borxhit dhe sigurimit të valutës së nevojshme për të shërbyer detyrimet e borxhit në valutë.

 

Në qershor 2020 u emetua eurobondi me vlerë 650 milion euro, i cili shërbeu për rifinancimin e 250 milion euro të Eurobondit 2015 dhe detyrimeve të tjera në valutë, si edhe për të përmbushur nevojat buxhetore të planifikuara për vitin 2020. Mbështetja buxhetore e akorduar nga FMN në vlerën 174 milion Euro nëpërmjet instrumentit të Shpejtë të Financimit (RFI), e cila shërbeu për të përballuar nevojat urgjente të bilancit të pagesave nga përhapja e pandemisë së COVID-19 dhe tërmeti në nëntor 2019./Burimi: Monitor


Më të lexuarat