AKSHI shpall tenderin: MSH transferon online bankat e gjakut
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka shpallur një tender me fond 172 milionë lekë, në funksion të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ky fond do të shkojë për krijimin e një platforme dixhitale, për menaxhimin e bankave të gjakut. “Në Shqipëri nuk ka një sistem informatik kombëtar për menaxhimin e informacionit të grumbulluar dhe përpunuar nga bankat e gjakut përsa i përket gjakut dhe produkteve të tij si dhe dhuruesve të gjakut dhe procesit të transfuzionit” specifikohet në detajet bashkangjitur tenderit. Aktualisht, referuar detajeve të tenderit, bankat e gjakut vijojnë të përdorin metodat “klasike” të menaxhimit të procesit të dhurimit të gjakut apo inventarizimit dhe qytetarët nuk kanë informacion të mjaftueshëm mbi procesin e ndërtimit.
Ndër të tjera, mungon baza e të dhënave të dhuruesve dhe nuk është i mundur gjurmimi i gjakut, ka një menaxhim jo të mirë të shpërndarjes së qeseve të gjakut apo skadencave.“Projekti ka objektiv të rrisë saktësinë e informacionit të ruajtur për gjakun dhe dhuruesin, të rrisë efiçencën dhe sigurinë e menaxhimit të gjakut dhe produkteve te tij, të sigurojë gjurmueshmërinë” shkruhet ndër të tjera në dokumentacionin e tenderit të shpallur në Agjencinë e Prokurimit Publik. Sipas të dhënave, platforma online do të krijohet brenda një afati kohor 9 mujor, që nga nënshkrimi i kontratës me subjektin fitues./Burimi: SCAN