Ulet parashikimi per rritjen ekonomike te Shqiperise: Integrimi do perballet me sfida
Fitch Solutions njoftoi se ka rishikuar në ulje me 0.5 pikë përqindje parashikimin për rritjen e PBB të Shqipërisë për vitin 2021.
Nga 4.8% që ishte parashikimi i mëparshëm, tashmë pritet që ekonomia e vendit këtë vit të zgjerohet me 4.3%. Më herët, Fitch Solutions kishte ulur dhe parashikimin për ecurinë ekonomike në 2020-n, nga -5.5% në -5.9% dhe ky parashikim është mbajtur dhe në raportin aktual. Sipas agjencisë, rishikimi erdhi pasi të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave treguan për një tkurrje të fortë prej -10.2% në tremujorin e dytë të vitit. Faktorë të tjerë që ndikuan në këtë rishikim në ulje janë dobësitë e rishfaqura në Eurozonë pas valës së dytë të pandemisë, çka sipas raportit do të ndikojë në ecurinë e eksporteve.
Për këtë vit Fitch Solutions parashikon që eksportet e mallrave do të rriten gjatë vitit ndërsa kërkesa nga Evropa përmirësohet, megjithëse eksportet e shërbimeve do të duan më shumë për t’u rikuperuar si rrjedhojë e ndërprerjeve të vazhdueshme nga Covid-19. Ndërkohë, një rënie graduale e papunësisë do të shkaktojë një rritje të moderuar të konsumit privat. Sipas raportit, Investimet publike duket se do të jenë një pikë relativisht e fortë për rritjen e këtij viti, si rrjedhojë e financimit të projekteve të shtyra dhe aktiviteteve të rindërtimit të lidhura me tërmetin e Nëntorit 2019. Raporti parashikon që në kahun e politikës, sondazhet e fundit sugjerojnë se Partia Socialiste në pushtet (PS) është në pozicion të mirë për të fituar zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Shqipërisë në 25 Prill.
“Ne e shohim një fitore të PS si relativisht të mundshme, pjesërisht për shkak të rezultateve të sondazheve – por edhe për shkak të natyrës së sistemit politik të Shqipërisë, i cili favorizon partitë më të mëdha”, thuhet në raport.“Një fitore e PS do të ishte shenjë e mirë për vazhdimësinë e politikës, megjithëse ne presim që ambienti politik të mbetet shumë i polarizuar, gjë që do të dëmtojë proceset e politikëbërjes”. Fitch shton se mes progresit të kufizuar në reformat dhe ndjenjave në rritje kundër zgjerimit në pjesën më të madhe të BE-së, “ne presim që procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE do të përballet me sfida në 2021”./Burimi: Monitor