Kursimet nuk te bejne me shtepi: Apartamentet 40 per qind me shtrenjte pas 2015
Të blesh një apartament në Tiranë, për një familje me të ardhura deri në mesatare po bëhet e pamundur, për shkak të çmimeve tepër të larta.
Ndërtimet e reja po sjellin çmime gjithnjë e më të shtrenjta, duke bërë që qytetarët ti drejtohen bankave për të marrë kredi, në mënyrë që të blejnë një banesë. Inxhinieri dhe agjenti imobiliar Lefter Sila thotë se çmimet nga viti 2015 e deri tani janë rritur deri në 40%, ndërkohë liston edhe shkaqet e kësaj situate. “Në radhë të parë pronarët e kanë rritur mjaft përqindjen e këmbimit që marrin në kontratë me ndërtuesin. Kjo përqindje shkon nga 30% në zonat e larta e deri në 50% në qendër. Që do të thotë se ndërtuesit i mbetet për tu shitur më pak se në rast se do e kishte të gjithë pallatin. Së treti cilësia e ndërtimit është rritur gjithashtu kështu që është rritur edhe kostoja e ndërtimit.
Po ashtu, ndërtuesit kanë pritur 6-7-8 vjet derisa të merrnin lejet e ndërtimit dhe gjatë kësaj kohe kanë harxhuar vlera të mëdha monetare për të mirëmbajtur makineritë, punëtorët”, thotë Sila. Zonat më të kushtueshme të Tiranës mbeten ish-blloku, unaza dhe pjesa e qendrës, ku 1 metër katror kapërcen në 3300 euro. “Zonat më të kushtueshme janë ish-Blloku, zona e Televizionit, zona e qendrës, rreth unazës së vogël. Në zonat e mira të Tiranës, çmimet janë 2500-3300 euro metri katror për ndërtimet e reja. Ndërsa një familje me të ardhura mesatare mund të marrë një apartament sigurisht duke e ndihmuar edhe kredia rreth zonave jashtë unazës së vogël”, sqaron inxhinieri.
Pavarësisht bumit të madh të ndërtimeve që logjikisht duhet të sjell ulje të çmimeve, inxhinieri thotë se edhe këtë vit pritet shtrenjtim i pronave. “Unë mendoj se rritja nga viti 2019-2020 ka qenë më e ulët, ndërsa bumi i rritjes është nga viti 2015, për ndërtimet e reja dhe ato që po ndërtohen tani me themele”, deklaroi ai. Ndikim në këtë shtrenjtim ka edhe mungesa e pronave pranë qendrës, dhe ato që kanë mbetur janë të kushtueshme, për këtë arsye ndërtuesit po orientohen në periferi, për të hapur themelet e tjera./Burimi: Shqiptarja.com