Koncesion i ri per hidrokarburet: Fiskalizimi do monitorohet nga kompani private
Mbikqyrja dhe kontrolli i tatimpaguesve në fushën e tregtimit të hidrokarbureve sipas fiskalizimit do bëhet përmes sistemit të monitorimit, që do ofrohet nga operatorë privatë.
Mbikqyrja dhe kontrolli i çdo tatimpaguesi në fushën e tregtimit të hidrokarbureve sipas procedurave të fiskalizimit do të bëhet nëpërmjet sistemit të monitorimit, i cili do të ofrohet, instalohet dhe mirëmbahet nga operatorë privatë të autorizuar. Këshilli i Ministrave i ka hapur rrugën dhënies me koncesion të këtij shërbimi, ndërkohë që sipas vendimit të miratuar në datën 24 dhjetor 2020, numri i operatorëve ekonomikë që do kenë të drejtë të pajisen me autorizim, kufizohet në jo më shumë se 3. Sipas vendimit, do të jenë Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve autoritetet përgjegjëse për pajisjen me autorizim të shoqërive private që do ofrojnë shërbimin.
Ministria e Financave do përcaktojë tarifat tavan të instalimit dhe mirëmbajtjes së sistemit të monitorimit të hidrokarbureve nga operatorët privatë, ndërkohë që në zbatim të këtij çmimi tavan tarifat e shërbimit do të përcaktohen nga operatorët privatë të autorizuar. Vendimi përcakton edhe të gjitha kriteret që duhet të përmbushin kompanitë private, ndërkohë që kohëzgjatja e autorizimit do të jetë 10 vjet. Miratimi i tij vjen në kuadër të procesit të fiskalizimit, ku për qarkullimin në fushën e hidrokarbureve është përcaktuar se sistemet e reja fiskale janë të detyrueshme për t’u instaluar dhe për t’u përdorur nga tatimpaguesit, duke filluar nga data 1 shtator 2021./Burimi: SCAN