Secondary Adv

Rritja e rasteve me Covid: Kosova pritet kete jave te vendose masa te reja

Nga java e ardhshme, ka shumë gjasa që qytetarët e Kosovës nuk do të mund të lëvizin gjatë gjithë kohës e as kafenetë nuk do të punojnë me orarin që kanë tani.

 

Qeveria pritet të ashpërsojë masat kundër pandemisë pasi numri i të infektuarve ka filluar të rritet. Këtë javë do të vendoset nëse do të ketë shtrëngim të masave anti-Covid, pas rritjes së rasteve me këtë sëmundje gjatë ditëve të fundit. Një gjë të tillë e ka konfirmuar Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj. Ai ka thënë se janë duke e vlerësuar situatën në vend. “Ne bashkë me Instituti e Shëndetit Publik dhe me institucionet e tjera jemi duke e vlerësuar situatën epidemiologjike në vend, nuk kemi ndonjë propozim. Të enjten e kem takimin e Komiteti për Koordinim dhe Vlerësim të Situatës me Covid-19 do ta vlerësojmë situatën pastaj do të vendosim”, ka deklaruar Zemaj.

 

Ndërkohë, në Qeveri kanë deklaruar se Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në vazhdimësi ka kërkuar ashpërsim të masave, por se të premten do të vendoset nëse do të ketë apo jo. “IKSHP-ja ka propozuar në vazhdimësi ashpërsim të masave, por në Qeveri nuk është diskutuar diçka e tillë. Të premten mbahet takimi dhe vendoset edhe nëse do të ketë shtrëngim të masave. Por, për të gjitha këto më shumë detaje mund të iu dhënë në Ministri të Shëndetësisë, meqenëse janë ata që propozojnë”. Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar të martën 488 raste me koronavirus, pas testimit të 2.886 mostrave në institucionet publike dhe ato private.

 

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), më 2 mars janë regjistruar tetë viktima. Në po këtë ditë, sëmundjen COVID-19,e  kanë tejkaluar 270 persona, derisa 8.236 raste vazhdojnë të jenë aktive. Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet e këtij vendi kanë regjistruar 70.185 persona të infektuar me këtë virus. Prej tyre 1.616 kanë vdekur. Derisa vendet e rajonit kanë filluar vaksinimin e qytetarëve kundër COVID-19, në Kosovë ende nuk ka arritur vaksina kundër kësaj sëmundjeje.

 

Skema e OBSH, COVOX, përmes së cilës pritet të shpërndahen vaksinat për koronavirus në vendet e varfra, ka bërë të ditur se Kosova mund të furnizohet me këtë vaksinë deri në muajin maj. Në dërgesën e parë përmes COVAX, Kosova do të përfitojë 100,800 doza të vaksinës së prodhuar nga kompania AstraZeneca. Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti dhe ministri në detyrë i Shëndetësisë kanë thënë në vazhdimësi se në muajin shkurt do të arrijë vaksina në Kosovë, por kjo gjë ende nuk ka ndodhur. Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, në fillim të muajit janar, pati njoftuar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane, Pfizer, për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit./Burimi: Monitor


Më të lexuarat