Secondary Adv

Ulen kostot e ndertimit ne 3 mujorin e fundit: Por cmimet mbeten joelastike

Kostot e ndërtimit, specifikisht banesave erdhën me ulje në tremujorin e katërt të vitit si rrjedhoje e çmimeve më të ulëta për materialet e ndërtimit dhe makineritë.

 

Sipas të dhënave të INSTAT, indeksi i Kushtimit në Ndërtim, në tremujorin e katërt 2020 arriti 104% duke shënuar ulje me 0,1%, në krahasim me tremujorin e katërt 2019. Indeksi i grupit “Kosto të tjera” shënoi rritje vjetore me 1,6%, ndjekur nga indeksi i grupit “Shpenzime makinerie” me 0,8%. Ndërsa, ulje kanë shënuar grupet “Shpenzime për paga” me 2,1%, “Shpenzime materiale” me 0,8% dhe “Shpenzime transporti” me 0,7%. Në tremujorin e katërt 2020 ndryshimi tremujor i indeksit të kushtimit në ndërtim shënoi rritje me 0,1%. Krahasuar me tremujorin e tretë të 2020, rritje kanë shënuar grupet, “Shpenzime makinerie” me 0,7%, “Kosto të tjera” me 0,3%, “Shpenzime materiale” me 0,2%, dhe “Shpenzime për paga” me 0,1 %.

 

Ndërsa, ulje ka shënuar grupi “Shpenzime transporti” me 0,8 %. Pavarësisht se kostot në ndërtim kanë qëndruar në vendnumëro, çmimet janë rritur me ritme të shpejta vitet e fundit. Banka e Shqipërisë, e cila mati ndryshimin e çmimeve të banesave nëpërmjet indeksit Fischer në 6 mujorin e parë 2020, vërejti se çmimet në rang vendi pësuan rritje vjetore me 4.9% në ketë periudhë dhe 40% në krahasim me nivelin e periudhës bazë (viti 2013). Për Tiranën, çmimet e banesave pësuan rritje vjetore +6.5% në gjashtëmujorin e parë 2020 dhe +43.4 në raport me vitin 2013.

 

Për gjashtëmujorin e dytë 2020 agjentët kishin parashikuar çmimet do të shënonin vlera pozitive rritjeje. Agjentët raportojnë kërkesë në rritje për qiramarrje, si për banesa, ashtu edhe për prona tregtare. Në linjë me rritjen e kërkesës, agjentët raportojnë rritje të çmimeve të qirasë. Aktiviteti i dhënies dhe marrjes së pronave me qira është i përqendruar në rajonin e kryeqytetit dhe veçanërisht në zonën e qendrës.

 

INSTAT i mat kostot e ndërtimit në banesa në një shportë që përbehet nga 71 zëra nga të cilat 66 janë materiale ndërtimi. Çmimet për materialet e ndërtimit mblidhen nga 166 distributorë dhe shitës me shumicë të materialeve të ndërtimit. Ndërsa, të dhënat për shpenzimet për pagat, makineritë dhe transportin merren nga 94 ndërmarrje të mëdha ndërtimi të përqendruara kryesisht në rrethin e Tiranës./Burimi: Monitor


Më të lexuarat