Secondary Adv

Te ardhurat nga Doganat dhe Tatimet, 110 milione USD minus


Situata e financave mbetet problematike dhe këtë e vërteton edhe një herë maji, ku sërishrealizimi i planit të të ardhurave nuk ka qenë i mundur. Në kushtet kur arkës i mungojnë 70 milionë dollarë, qeveria ka shtrënguar kahun e shpenzimeve.Treguesit fiskalë të Financave reflektojnë një ecuri të dobët të disa taksave që sinjalizojnë njëekonomi të dobët.


Treguesit
Në fakt, totali i të ardhurave ka ardhur me një përmirësim krahasuar me një muaj më parë kur buxhetit i mungonin 85 milionë dollarë nga diferenca plan-fakt. Ky ngushtim ka ardhur jo më tepër si një rritje e të ardhurave nga dy administratat kyçe Tatime dhe Dogana, por nga disa të ardhura ekstra të buxhetit për dhënien e shërbimit 4G.

 


Nëse këto para nuk do të ishin arkëtuar, atëherë do të kishim një dështim të realizmit të planit me 110 milionë dollarë nga dy administratat. Por cilët janë zërat më problematikë? Së pari kemi një rënie të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Plani i këtij viti parashikonte që të paktën deri në maj ky zë të ishte jo më pak se 480 milionë dollarë, por në fakt mosrealizimi është me më shumë se 1.5 milionë dollarë. Krahasuar me faktin e majit të vitit të kaluar, situata është edhe më pesimiste, pasi rënia është me 3 milionë dollarë.


Nga ana tjetër kemi më pak akcizë të arkëtuar që sipas treguesve në maj ishte 130 milionë dollarë, më keq sesa plani, por më mirë sesa një vit më parë. E ndërsa për disa zëra ka argument që mban për rënien e lirë të të ardhurave duket se për TVSH është e qartë se ekonomia nuk po jeton ditët më të mira. Kjo tregon për një rënie të investimeve nga biznesi, rënie të fuqisë blerëse në vend dhe padyshim situata e parazgjedhjeve duket të ketë dhe ajo efektin e vet.


Shpenzimet
Qeveria ka mbajtur nën kontroll shpenzimet për pesë muajt e këtij viti, duke harxhuar shumë më pak sesa plani. Nëse në buxhet ishin parashikuar 1.76 miliardë dollarë si shpenzime totale deri në fund të majit u harxhuan 1.61 miliardë dollarë. Ka një ulje të shpenzimeve korrente, atyre për fondet speciale apo edhe kompensim për ish-pronarët.
Pavarësisht kësaj, qeveria i ka qëndruar besnike planit të saj për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura ku deri në fund të majit janë dhënë 120 milionë dollarë. Në total kemi një deficit 98 milionë dollarë, i cili është financuar më shumë nga borxhi i marrë jashtë vendit gati 86 milionë dollarë, kurse pjesa më vogël në tregun vendës.


Shpenzimet kapitale arrijnë 176 milionë USD
Qeveria e ka lëshuar dorën për shpenzimet kapitale nëse krahasimin e bëjmë me një vit më parë. Deri në fund të majit për këtë zë kanë shkuar 176 milionë dollarë. Kjo shifër edhe pse është më shumë sesa një vit më parë kur ky zë ishte 137 milionë dollarë, sërish është me një diferencë 30 milionë dollarë krahasuar me planin e buxhetit të këtij viti. Në fakt, nisur nga situata e vjetshme kur shpenzimet shumica u kryen në fundvit, gjatë këtij viti, qeveria ka vendosur të shpërndajë në mënyrë më të njëtrajtshme paratë. Kjo vjen pas këshillës së Bankës Botërore dhe asaj të Shqipërisë që vunë theksin edhe te rëndësia që kanë në ekonomi këto shpenzime./Panorama


Më të lexuarat