Secondary Adv

Fermeret mund te perfitojne toke me qira 1 euro

Fermerët që kanë humbur tokën ose u është dëmtuar nga efekti i forcave natyrore, do të trajtohen me tokë me qira 1 euro. Në një vendim të fundit, qeveria ka vendosur ta ndihmojë këtë kategori, duke u ofruar tokën shtetërore.


Familjet bujqësore ose individët që kanë përfituar dhe posedojnë tituj pronësie mbi tokën bujqësore të marrë nga ndarja e sipërfaqeve të ish-kooperativave ose ndërmarrjeve bujqësore, por që, nga veprimi i faktorëve natyrorë të fuqisë madhore, sipërfaqe të tokës në pronësi të tyre janë dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme, kanë të drejtën e marrjes pjesë në procedurat e konkurrimit. Sipas vendimit, gara për këto toka nis me vlerën 1 euro.


Bëhet fjalë për toka bujqësore që rezultojnë në pronësi të shtetit, brenda njësisë administrative ku fermerët kanë vendbanimin dhe pronën. Vendimi përcakton se, sipërfaqja e tokës bujqësore që jepet me qira mund të jetë deri sa përmasa e sipërfaqes së tokës së dëmtuar të familjes bujqësore ose individit. Afati i qiradhënies është deri në 30 vjet.


Kërkesa për marrjen e tokës me qira nga familja bujqësore ose një grup individësh paraqitet me shkrim në Ministrinë e Bujqësisë dhe shoqërohet me:
a) të dhëna për identitetin e kërkuesit;
b) aktin e marrjes së tokës në pronësi ose certifikatën e pronësisë për sipërfaqen e dëmtuar;
c) një raport teknik për dëmtimin e sipërfaqes së tokës bujqësore të dëmtuar, i konfirmuar nga bashkia, Drejtoria e Bujqësisë dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës e qarkut përkatës;
ç) planimetrinë e sipërfaqeve të parcelave (pronave) që kërkohen për qiramarrje, në shkallën 1:2500;
 d) pasqyrën kadastrale të parcelave (pronësisë) me madhësinë e sipërfaqes për secilën prej tyre;
dh) vërtetimin e siguruar nga ZVRPP-ja për statusin juridik të pronësisë për të gjitha parcelat e tokës, objekt kërkese për qiramarrje, në rastin kur këto sipërfaqe përfshihen brenda zonave kadastrale ku është kryer regjistrimi fillestar i pasurive të paluajtshme ose vërtetimin nga qarku, në rastin kur këto sipërfaqe përfshihen në zona kadastrale ku nuk është kryer regjistrimi fillestar i pasurive të paluajtshme.

 

Kërkesa shqyrtohet nga bordi i qiradhënies së tokave bujqësore, i cili i paraqet ministrit propozimin për miratimin ose jo të saj brenda tri ditëve. Kryetari i bordit merr masat për shpalljen e procedurës së konkurrimit pranë Qendrës së Botimeve Zyrtare, brenda ditës së miratimit nga ministri. Në njoftimin për zhvillimin e procedurës së konkurrimit përcaktohen qëllimi i dhënies me qira të tokës, sipërfaqja, objekt qiradhënieje, vendndodhja e saj, si dhe vendi, data dhe ora e zhvillimit të kësaj procedure.


Afati i paraqitjes së ofertave zgjat pesë ditë nga data e publikimit të njoftimit për procedurën konkurruese. Ofertat duhet të kenë një përshkrim të hollësishëm teknik të projektit për veprimtarinë bujqësore që do të zhvillohet, të shoqëruar me përcaktimin e kulturave bujqësore ose të specieve të bimëve që do të mbillen, teknologjive që do të aplikohen në kultivimin e bimëve dhe përpunimin e produkteve, investimeve në infrastrukturë (kullim, ujitje, sistemim etj.), të shprehura në tregues fizikë e monetarë, të dhëna për burimet e financimit të shprehura në vlerë që garantojnë investimet, ndikimin e veprimtarisë në shtimin e numrit të të punësuarve.


Po ashtu duhet të vendoset niveli i çmimit (lekë / ha në vit) që ofrohet për marrjen me qira të tokës bujqësore, si dhe vërtetimin se nuk ka detyrime financiare ose ligjore të pashlyera ndaj shtetit. Fituesi shpallet brenda dy ditëve në bazë të pikëve të grumbulluara./Gazeta Shqip


Më të lexuarat