Secondary Adv

Cfare ndodh nese Greqia del nga Eurozona?

Skenari profetizohet prej kohësh, por çfarë ndodh saktësisht kur një vend lë Eurozonën? “Financial Times” e nis shpjegimin e saj nga situata në tregjet financiare, ku një monedhe të re do t’i duhet më së pari një kod i ri, i cili të identifikohet nga kompjuterët për shkëmbime tregtare e pagesa.


Me këtë çështje merret International Standards Organisation, një organizëm botëror me seli në Zvicër. Ai ofron një kod prej tre gërmash: dy të parat përfaqësojnë vendin, e treta emrin e monedhës. Në rastin e Greqisë nuk do të mund të ketë kthim në kodin e vjetër të dhrahmise, GRD, sepse ka ende disa pagesa të vonuara që duhen shlyer. Në këtë rast janë të mëdha gjasat e vendosjes së një kodi të ri, i cili mund të jete GRN. Duket e lehtë për t’u thënë, por në tregje, hyrja e një monedhe të re është goxha e ndërlikuar, sidomos kur vjen fjala tek kontratat financiare afatgjata.


Për Greqinë vetë, monedha në fjalë mund të sjellë disa përfitime, por megjithatë nuk do të jetë fare pa kosto. Kur procesi kompleks i hedhjes në treg bëhet në mënyrë të rreptë e të befasishme, atëherë rreziku për pasoja të padëshiruara e të paparashikueshme është i madh. Por, përtej aspektit teknik dhe anës greke të sagës, çfarë ndodh konkretisht me euron? Edhe monedha e përbashkët europiane, sipas “Financial Times”, nuk do ta kalojë paq këtë situatë.
Grexit-i hedh në erë parimin e shenjtë të BE-së se, Eurozona është një klub ku mund të hysh, por nga ku nuk del më kurrë. Shembja e këtij boshti do të prekë investitorët, korporatat dhe të tjerë me një ekspozim të barabartë ndaj një shpërbërjeje të mundshme të Eurozonës. I tillë do të ishte përshembull rasti i një sipërmarrësi italian, asetet dhe burimet e të ardhurave të të cilit janë në Itali, por financimi bëhet në euro.

Kriza greke nuk e prek Shqipërinë
Shqipëria dhe bankat në vendin tonë nuk janë të rrezikuara nga një faliment i Greqisë”. Kështu deklaron guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një intervistë për “Top Channel”. Ai thotë se mund të ndihet një ulje e remitancave dhe shkëmbimeve tregtare, por këto fenomene kanë ekzistuar këto 5 vitet e fundit, që në fillim të krizës greke. Gjithashtu, ndikimi do të ndjehet edhe në aktivitetin e importeksporteve, por rënia do të jetë e papërfillshme, pasi kryesisht ato kanë rënë edhe më herët se kriza greke. Më tej ai thekson se bankat greke në Shqipëri nuk janë të rrezikuara ndaj falimentit, pasi nuk janë degë të bankave greke. Pra, këto banka janë të mirëkapitalizuara në vendin tonë.
“Raporti i kapitalit për bankat greke është mbi mesataren. Është rreth 17%, kundrejt 12%, që ne e kemi si kërkesë rregullatore. Gjithashtu, bankat greke e kryejnë operimin e tyre pothuajse me 100% depozita të shqiptarëve”. Sistemi bankar shqiptar është i imunizuar, pasi Banka e Shqipërisë prej disa vitesh ka marrë disa masa rregullative dhe mbikëqyrëse.


“Dua të theksoj që sistemi bankar shqiptar është i imunizuar, pasi Banka e Shqipërisë prej disa vitesh ka marrë disa masa rregullative dhe mbikëqyrëse që nga nisja e krizës greke për të krijuar një funksionim sa më normal të bankave greke në vend”, është shprehur Sejko.
Gjithashtu, bankat greke në vendin tonë e kryejnë operimin e tyre pothuajse me 100% depozita të shqiptarëve. Mosbesimi nga ana e depozituesve është vënë re ditët e fundit edhe në Shqipëri, por sipas guvernatorit, janë marrë masa që bankat të kenë me tepricë likuiditet dhe nuk parashikohet asnjë problematikë. E gjithë kjo situatë në ekonominë shqiptare mund të ndikojë edhe për mirë. Kjo, pasi kthimet e emigrantëve do të shoqërohen edhe me flukse kapitali. Është vënë re që në fillimet e krizës greke ka pasur hyrje të kapitaleve nga Greqia, pasi emigrantët i kanë tërhequr kursimet e tyre nga bankat greke, duke i sjellë në ato shqiptare. Ky fenomen po vihet re edhe gjatë këtyre ditëve. Ka rritje të depozitave në bankat shqiptare nga situata e mosbesimit në Greqi. Gent Sejko jep edhe një panoramë të situatës greke.


“Politika dhe populli grek po ballafaqohen me dy opsione. Një opsion është pranimi i ofertës së kreditorëve me planin e masave që kanë të bëjnë me pensionet dhe taksat. Opsioni i dytë është mospranimi i planit të masave dhe kjo do ta çonte Greqinë në një kolaps politik dhe ekonomik”.


Më tej në intervistën e dhënë guvernatori i Bankës Shqiptare flet dhe rreth forumit të tretë financiar, që u mbajt ditën e enjte. Kreditë e këqija kanë qenë në fokus të këtij forumi, ku Sejko shprehet se u përcaktua një plan aksioni i mirëfilltë. Kreditë e këqija janë 22.8% e totalit të gjendjes së kredive në sistemin bankar, çfarë do të thotë se janë mjaftueshëm për të krijuar një gjendje pesimizmi në funksion të kreditimit dhe rritjes ekonomike në vendin tonë.


Më të lexuarat