Secondary Adv

BE pergatitet te rihape kufijte: Publikohen kushtet e reja per udhetimet

BE publikoi sot kushtet për të rihapur udhëtimet mes vendet të zonës shengen dhe jashtë saj si me SHBA dhe Britaninë e Madhe me ndihmën e një pasaporte të vaksinimit.

 

Sipas njoftimit të BE-së në Twitter, udhëtarët do të duhet të pajisen me një “Certifikatë dixhitale të gjelbër” për të udhëtuar lirisht. Certifikata do të përmbajë informacion nëse personi është vaksinuar, ka kaluar virusin e Covid19, ose ka një test negativ. Ajo mund të jetë dixhitale ose fizike, por e shoqëruar me një kod identifikimi dhe e firmosur në mënyrë dixhitale. Në kufi pas verifikimit të kodit dhe firmës dixhitale do të lejohet hyrja në vendet e BE-së.

 

Komisioni Evropian do të ndihmojë vende të zhvillojnë një program kompjuterik për verifikimin e vërtetësisë së certifikatave. BE ka mbyllur kufijtë për udhëtimet jo të domosdoshme që prej nisjes së pandemisë. Deri më sot lejohen vetëm udhëtarët rezident ose me nënshtetësi të një vendi evropian, udhëtimet diplomatike dhe ato për nevoja shëndetësore. 

 

Komisioni Evropian ka sqaruar se këto pasaporta do të kenë tri elemente, të cilat do të duhej të ishin të mjaftueshme për të mundësuar lëvizjen e njerëzve: 1- vërtetimin për vaksinim kundër COVID -19, 2-vërtetimin për test negativ  dhe 3-vërtetim se personi është shëruar nga virusi. Të gjitha këto pasaporta duhet të përfshijnë edhe të dhënat për datën e vaksinimit apo testimit, emrin e institucionit që e ka bërë testin apo vaksinën, emrin e vaksinës dhe afatin e vërtetimit. Për momentin, sipas sqarimeve të Komisionit Evropian, pasaportat duhet të lëshohen në të gjitha vendet e BE-së si dhe shtetet e zonës Shengen, të cilat nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian.

 

Komisioni Evropian ka nënvizuar se edhe shtetasit e huaj, me qëndrim në BE, kanë të njëjtat mundësi dhe të drejta për t’u pajisur me pasaporta. Sa u përket pasaportave të lëshuara nga shtetet tjera jo anëtarë të BE-së, ato do të shqyrtohen nga Komisioni më vonë në bazë të standardeve, të cilat i kanë aplikuar ato vende, por që kusht mbetet njohja e vaksinave nga EMA. Për momentin, pasaportat për vaksinim që do të vlejnë në tërë territorin e BE-së, të cilat vërtetojnë se personi është vaksinuar me njërën prej vaksinave, të cilat janë miratuar për përdorim në tregun e BE-së./Burimi: Exit.al


Më të lexuarat