Kompesimi i pronave, ja si do ndahen 23 mije ha toke
Përveç kompensimit financiar për pronarët, ‘në lojë’ është edhe skema e kompensimit fizik. Aktualisht Agjencia e Pronave ka në dispozicion një fond prej 23 mijë ha tokë bujqësore, që do të shfrytëzohet për shpërblimin e 26 mijë pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist.
Skema
Por si do të bëhet ndarja e kësaj sipërfaqeje? Sipas drejtoreshës së AKKP, Sonila Qato, në projektligjin e ri që është depozituar së fundmi në Ministrinë e Drejtësisë, është propozuar që të aplikohet ankandi, ku pronarët do të kenë përparësi.
“Agjencia e Pronave ka fondin e saj të tokave që do të vihen në dispozicion të ish-pronarëve. Veç 23 mijë ha që kaluan së fundmi nga qeveria, ne kemi trashëguar edhe sipërfaqe të tjera toke, kryesisht ato që nuk janë shitur në ankande nga Ministria e Ekonomisë. Duke qenë se është vështirë të gjesh një mekanizëm që është edhe transparent dhe të orientojë procesin kah ligjshmërisë, ne si agjenci kemi propozuar realizimin e ankandeve, ku prioritet do të kenë pronarët”, shprehet Qato.
Fondi prej 23 mijë ha tokë është i parcelizuar e i lokalizuar në katër qarqe, përkatësisht Elbasan, Berat, Gjirokastër dhe Korçë. Për një sipërfaqe të caktuar do të zhvillohet ankand, ku të drejtë do të kenë edhe pronarët, madje këta të fundit do të jenë të favorizuar. Ata do të konkurrojnë në ankand me vlerën që ka prona e tyre. Por nëse toka blihet nga një person i tretë, sqaron drejtoresha e Agjencisë së Pronave, atëherë këto para do të shkojnë për fondin e kompensimit financiar.
“Fondi, i cili do të grumbullohet nga shitja me ankand e këtyre pronave do t’i shtohet fondit të kompensimit financiar që do të vijë nga buxheti i shtetit. Draftprojektligji i ri që ne kemi dërguar në Ministrinë e Drejtësisë realizon edhe vlerësimin ekonomik dhe financiar të pronës që pritet të kompensohet për çdo pronarë. Pra, nëse ti ke 400m2 tokë për kompensim në x zonë kadastrale, ne nëpërmjet këtij ligji do të vlerësojmë ekonomikisht këtë pronë bazuar në hartën e vlerës së pronës në fuqi. Ndërkohë kur të dalë prona në ankand, ti mund të konkurrosh ose me vlerën e pronës tënde për kompensim ose mund të jetë një person i tretë publik që e blen këtë pronë dhe lekët i shkojnë fondit të kompensimit financiar”, bën të ditur Qato. Qëllimi i këtij mekanizimi është për të shtuar sa më shumë buxhetin në dispozicion të pronarëve.
Trualli
Kompensimi i pronarëve do të bëhet për të njëjtin zë kadastral. Kjo do të thotë se ai që ka pasur tokë truall në 1945-n, do të marrë kompensimin për tokë truall edhe sot, apo ai që ka pasur tokë bujqësore do të kompensohet për tokë bujqësore.
Sipas Qatos, përparësi do të marrë skema e shpërblimit në të holla për rreth 26 mijë dosje, që janë aktualisht me vendim të formës së prerë. Për herë të parë krijohet një mekanizëm, i cili do t’i trajtojë një herë e mirë të gjitha këto vendime. Pra, jo më sikundër është bërë çdo vit, kur çelet një fond për kompensimin financiar të vendimeve me zë kadastral truall, por do të hyjnë në proces kompensimi të gjitha vendimet, pavarë- sisht zërit kadastral.
Dosjet pa vendim
Në Agjencinë e Pronave janë ndërkohë edhe 9400 dosje të tjera pa vendim. Qeveria zhvendosi deri në tetor të këtij viti afatin për shqyrtimin e tyre. Por pikëpyetja që shtrohet është se çfarë do të ndodhë nëse AKKP nuk arrin që të marrë vendim për të gjitha aplikimet? Çfarë zgjidhjesh apo mundësish do të kenë pronarët? Kjo mbetet për t’u parë pas prezantimit të ligjit të ri.
Ndarja e parave, përparësi do të kenë vendimet më të vjetra
Ligji i ri i pronave që pritet të miratohet nga qeveria brenda këtij 6 mujori të dytë, parashikon që 6 muajt e parë nga hyrja në fuqi e tij, Agjencia e Pronave të bëjë të mundur hartimin e një regjistri paraprak për 26 mijë dosjet që presin të kompensohen. Në këtë mënyrë pronarët e shpronësuar nga regjimi komunist do të kenë mundësi të njihen online me mangësitë apo problematikat që mbart dosja e tyre.
Por renditja kronologjike e vendimeve do të shërbejë para së gjithash për ndarjen e fondit të kompensimit. Drejtoresha e AKKP, Qato, sqaron se kompensimi do të fillojë me vendimet më të hershme që në të njëjtën kohë kanë edhe formë përfundimtare, pra të pandryshueshme. “Ngritja e një regjistri elektronik do të shërbejë për t’i vënë në dijeni të interesuarit që të plotësojnë ato dokumentet që i kanë mangët sot.
Ajo çfarë është vërejtur gjatë kësaj periudhe është fakti që një pjesë e konsiderueshme e vendimeve që presin të kompensohen, nuk kanë bashkëlidhur hartat treguese përkatëse të pronës për kompensim. Kjo është një mangësi thelbësore në formë dhe në përmbajtjeje e vendimit për ta quajtur përfundimtar dhe gati për ekzekutim. Ndaj, personat e interesuar që kanë dijeni se vendimet e tyre nuk janë të shoqëruara me hartat treguese, të fillojnë nga procedurat për identifikimin e pronës, që sipas vendimit duhet të identifikohet”, bën me dije Qato. Aktualisht janë gjykatat ato të cilat përcaktojnë hartën treguese të pronës për kompensim. Por, Agjencia e Pronave ka kërkuar që ky rol të përmbushet prej vetë këtij institucioni pas miratimit të ligjit të ri.
Për ndarjen e fondit që do të disbursohet çdo vit nga Ministria e Financës në një periudhë 10-vjeçare janë në diskutim 2 variante. Në draftprojektligjin e ri është parashtruar mundësia e shlyerjes së plotë të pronarit të shpronësuar nga regjimi komunist. Por, përveç kësaj, ka edhe një opsion të dytë që është pagesa me këste. Kjo e fundit krijon mundësi që të gjithë pronarët, pra 26 mijë të tillë të marrin nga pak çdo vit.