FSHF kerkese IKMT te liroje ambientet rreth stadiumit Air Albania: Ka humbur funksionin kryesor
Zgjermi i bizneseve pranë stadiumit ‘Air Albania’ është kthyer në një shqetësim për UEFA-n.
Kjo e fundit ka kërkuar nga Federata Shqiptare e Futbollit që të lirojë ambientet rreth e qark impiantit, pasi në të kundërt rrezikohet ndeshja me Anglinë, që luhet me 28 mars për kualifikueset e Botërorit. Për pasojë FSHF me anë të një letre i ka kërkuar IKMT-së që të lirojë hapësirat, duke qenë se zgjerimi pa kriter i bizneseve i ka humbur qëllimin kryesor stadiumit, që është organizimi i një ndeshje futbolli. Për këtë situatë FSHF ka vënë në dijeni si kryeministrin Rama ashtu edhe kryebashkiakun Erion Veliaj. FSHF në letrën e saj përpiqet të saktësojë se bizneset kanë jetësuar stadiumin, por zgjerimi pa kriter i ka zbehur qëllimin. Report TV ka siguruar dokumentin dërguar kreut të IKMT-së Dallandyshe Bicit, kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj, në të cilën edhe ilustrohen me foto zonat më problematike të stadiumit.
"Gjithsesi, me shqetësim kemi konstatuar se zgjerimi i pazakontë i bizneseve në perimetrin e stadiumit ‘Air Albania’, çdo ditë e më shumë po shndërrohet në një problematikë që del përtej zhvillimit të një biznesi, e duke u kthyer në një element penalizues dhe bllokues për funksionin bazë të këtij impianti, organizimin e ndeshjeve të futbollit. Operatorë të ndryshëm bar-kafe kanë avancuar me ngritjen e strukturave permanente prej hekuri dhe betoni në trotuaret e stadiumit, duke cenuar seriozisht standardet e sigurisë për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare, por në fakt, elemente themelore sigurie për çdo organizim ndeshjeje të çdo natyre", thuhet në dokument./Burimi: Shqiptarja.com