Komiteti i Eksperteve vendos afatet: Grumbullimet te ndaluara deri me 25 Mars
Grumbullimet në vende të hapura apo të mbyllura do të jenë të ndaluara deri më datën 25 Mars.
Vendimi është marrë nga Komiteti Teknik i Eskpertëve dhe është botuar në fletoren zyrtare. Komiteti rishikoi vendimin e mbledhjes së kaluar, pas vendimit të Gjykatës Kushtetutese për caktimin e afateve konkrete. Në vendimin e ri është bërë ndryshimi i togfjalëshit “deri në një urdhër të dytë” që tashmë zëvendësohet me togfjalëshin “deri në datën 25.3.2021”.
“Në mbështetje të nenit 102, pika 4, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të nenit 7, pika 4, të ligjit nr. 15/2016, “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, të udhëzimeve të Institutit të Shëndetit Publik, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të popullatës nga infeksioni i shkaktuar nga COVID-2019, si edhe vendimit të Komitetit Teknik nr. 1356, datë11.3.2021,
URDHËROJ: Në urdhrin nr. 633, datë 17.11.2020, “Për ndalimin e grumbullimeve në vende të mbyllura apo të hapura”, bëhet ndryshimi si vijon: Në pikën 1 të urdhrit, togfjalëshi “deri në një urdhër të dytë” zëvendësohet me togfjalëshin “deri në datën 25.3.2021”, thuhet në vendimin e botuar në fletoren zyrtare./Burimi: abcnews.al