BE ndalon eksportin e vaksinave drejt Shqiperise: Ne fuqi deri ne qershor
Në kulmin e debateve mbi vaksinat në Shqipëri, por edhe në BE, në lidhje me përplasjen me “Astrazeneca”, një tjetër ngjarje duket se do të “turbullojë” situatën.
Bashkimi Europian ka vendosur të forcojë dhe zgjerojë mekanizimin e ndalimit të eksporteve drejt vendeve të tjera jashtë kufijve të tij, me futjen e dy parimeve të reja, por sidomos me futjen në listë të 17 vendeve më parë të përjashtuara nga ky mekanizëm. Shqipëria është një prej këtyre shteteve. Deri në fund të muajit qershor, nëse sdo të ketë një shtyrje tjetër, asnjë vend i Bashkimit Europian nuk mund të eksportojë vaksina drejt Shqipërisë. Në rast se vendi ynë do ta kërkojë diçka të tillë, duhet miratimi i vendeve anëtare, të cilët me mekanizimin e ri duhet të vlerësojnë dy aspekte; proporcionalitetin dhe reciprocitetin. Proporcionaliteti i referohet situatës epidemiologjike në vendin që bën kërkesën, situatës me vaksinimin, etj, për të kuptuar në rast se vendi në fjalë ka një situatë më të keqe apo jo se vendi nga i cili kërkon të importojë vaksinat.
Principi i dytë mbi të cilin vendet anëtare do të vendosin, është ai i reciprocitetit, çka penalizon ato vende të cilat ndalojnë gjithashtu eksportet e vaksinave drejt BE apo të materialeve të tjera kritike. Pas prezantimit të aktit të ri, numri një i KE, Ursula Von Der Leyen u shpreh se BE aktualisht është eksportuesi më i madh në botë i vaksinave, por se një gjë e tillë duhet të gjejë reciprocitet. Veç Shqipërisë, pjesë e listës janë edhe të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës. Zvicra, Islanda, Norvegjia apo Izraeli janë gjithashtu pjesë e kësaj liste, e cila pritet të shkaktojë mjaft debate./Burimi: Scan