Secondary Adv

Pandemia uli konsumin: Ja bizneset qe rrezikojne falimentimin

Tendenca e shpenzimeve të konsumatorëve ndryshoi me krizën e COVID-19.

 

Më të prekurit nga rënia e konsumit janë dyqanet e vogla, baret dhe restorantet. Strukturat më të mëdha akomoduese të Shqipërisë kanë shkurtuar 80% të stafit. Sektori i transportit vuan ende rënien e fluksit të pasagjerëve që po ndikon në mbylljen e aktivitetit për disa operatorë. Ekonomia do të nisë ristrukturimin, ku interesi më i fortë do të jetë që ndërmarrjet e mëdha të blejnë bizneset e vogla dhe të mesme. Sektorët më të prekur nga kriza e COVID-19, sipas kryetarit të Dhomës të Tregtisë dhe Industrisë të Durrësit, Alban Isteri, janë tregtia me pakicë, turizmi dhe shërbimet mbështetëse të tij, duke përfshirë baret, restorantet dhe agjencitë turistike, akomodimi dhe në tërësi transporti i pasagjerëve.

 

Nga të dhënat e INSTAT, 30% e totalit të ndërmarrjeve aktive janë të tregtisë me pakicë. Në vitin 2019, numri i bizneseve që operonin në këtë sektor ishte 32,967. Ahmet Xhinishi, ekspert fiskal, pohoi për “Monitor” se për shkak të pasigurisë ekonomike, konsumatorët po frenojnë blerjet për shumë produkte. Tendenca është reflektuar me rënie të të ardhurave te biznesi i vogël. Krahasuar me 3-mujorin e parë të 2020-s, xhiroja ka rënë me 50%. Bizneset e shitjeve me pakicë të veshjeve, të produkteve industriale (siç janë tregtarët e Tregut Çam), dyqanet e bulmetit dhe kasapët e mishit janë më të prekurit.

 

“Xhiroja e bizneseve të vogla ka pësuar rënie të lartë, sidomos në 3-mujorin e parë të vitit 2021, pasi deri në fund të 2020-s, bizneset dhe konsumatorët u munduan të tresnin ‘dhjamin’. Deri në muajt e parë të vitit, kishte pritshmëri se situata do të përmirësohej, por u pa që ndryshimi nuk mund të ishte kaq i shpejtë dhe se kriza mund të zgjasë gjatë gjithë vitit. Në vitin 2020, sektori i ushqimeve arriti të ruajë nivelin e shitjeve dhe në muajt e karantinës pati rritje, por aktualisht është në stanjacion. Këto biznese po e ndiejnë që konsumatori nuk ka më çfarë të shpenzojë. Restorantet kanë diversifikuar produktet, kanë filluar me shërbimet ‘catering’ apo ‘dilevery’.

 

Nuk mund të bëhet krahasim për ecurinë e biznesit para COVID-19, pasi në periudhë pandemie kanë nisur shërbime të reja. Shërbimet që ofronin më parë kanë falimentuar. Shumë biznese të vogla po përpiqen të mbijetojnë, por ka edhe shumë prej tyre që janë mbyllur, siç janë dyqanet e shitjes së veshjeve në rrugën ‘Myslim Shyri’. Arsyet janë kostot e larta të qirasë, pagesat e siguracioneve dhe mungesa e subvencioneve të shtetit. Biznesi i vogël përfitoi vetëm 3 paga. Në anën tjetër vihet re se dyqanet outlet (me veshje të përdorura firmato) kanë rritur investimet. Dikush ka zgjeruar biznesin, por edhe janë hapur dyqane të reja, duke tërhequr më shumë klientelë”, pohoi z. Xhinishi.

 

Strukturat akomoduese

Sipas të dhënave të INSAT, në sektorin e akomodimeve janë rreth 1,400 ndërmarrje aktive. Kriza nga COVID-19 po prek strukturat më të mëdha akomoduese të Shqipërisë. Presidenti i “FAFA Group”, Agron Çerenishti, pohoi se sektori është në lockdown, për shkak të mungesës së pushuesve. Në resortin më të madh të zonës të Golemit, aktualisht po mbahen në punë 22% e të punësuarve. “Frekuentimi në dhomat e tre hoteleve është 1-2% dhe më shumë nga kërkesat e fundjavës. Në ditët e tjera nuk ka rezervime. Para COVID-19, në këtë periudhë, 30% e strukturës ishte e prenotuar (në tre hotelet e kompleksit janë në dispozicion mbi 500 dhoma), kryesisht nga turistët polakë dhe çekë që vinin nëpërmjet guidave turistike.

 

Situata po thellon pamundësinë financiare për kryerjen e pagesave të interesit të kredive bankare, pavarësisht se nga bankat jemi mirëkuptuar për shtyrjen e principalit. Me këtë frekuentim e kemi të pamundur të mbajnë në punë të gjithë punonjësit. Në periudhë piku punësojmë 400 punonjës, por aktualisht janë në punë, 90 prej tyre.” Edhe për sezonin e ri, operatorët janë pesimistë për rikthimin e normalitetit, pasi skenari i turizmit patriotik dhe ai mbarëshqiptar është më i mundshmi edhe këtë vit. Administratori i kompleksit FAFA e konsideron të domosdoshëm vaksinimin e punonjësve të sektorit të turizmit. “Mendoj se edhe në këtë sezon, turizmi do të përqendrohet me pushuesit vendas.

 

Pandemia godet transportin, falimenton kompanitë

Sektori i transportit të udhëtarëve po kalon ditët më të vështira, pas bilancit negativ nga mbyllja 4-mujore e aktivitetit në 2020 dhe tkurrjes së lartë të fluksit të pasagjerëve. Në muajt e parë të vitit, situata është vështirësuar edhe për operatorët e transportit qytetas të Tiranës. Operatori “Alba Trans”, i licencuar për linjën e Tufinës, falimentoi, për shkak të mospërballimit të kostove financiare.

 

Në muajin qershor, kompania deklaroi mbylljen e linjave të pasagjerëve në transportin ndërkombëtar me autobus, si në Athinë, Volos, Selanik dhe Kretë, si dhe me Italinë pas 14 vitesh operim. Administratorja e agjencisë ndërkombëtare të udhëtimit, “Alba Trans”, Albana Brati, pohoi më herët për “Monitor” se arsyet që ndikuan te mbyllja e punës, ishin: informaliteti dhe konkurrenca e pandershme, si dhe masat për të punuar me gjysmë kapaciteti për shkak të pandemisë.

 

Edhe operatorët detarë, në prag falimentimi

Pas një rënie me bazë vjetore, 76% në 2020, krahasuar me vitin e mëparshëm, transporti detar i pasagjerëve vijon të shënojë tkurrje drastike. Vitin e kaluar, rënia nisi që në muajin mars me vendosjen e karantinës, duke vazhduar edhe për periudhën prill-maj. Sipas të dhënave të INSTAT, numri i pasagjerëve në transportin detar për muajin janar 2021 është tkurrur 52% krahasuar me janar 2020. Bernard Resto, përfaqësuesi për Shqipërinë i kompanisë italiane të lundrimit “Adria Ferris”, thotë se edhe në muajt e parë të 2021, ky shërbim vijon të përkeqësohet. Arsyeja kryesore është moslejimi i udhëtimeve me Italinë dhe vende të tjera të Europës./Burimi: Monitor 


Më të lexuarat