Dy variante per fleten e votimit: Zbardhen detajet e opsionit te mundshem
Fleta e votimit që është ndër opsionet më të mundshme për zgjedhjet e 25 Prillit, është fleta më e madhe ndonjëherë, me përmasat 30 x 60 cm.
Gazetarja Esiona Konomi mban në duar fletën e votimit për qarkun e Elbasanit, ndërkohë që mësohet se me fletën e votimit për Tiranën që ka më shumë kandidatë nuk do të zmadhohen përmasat e fletës por do të zvogëlohet dendësia e shkrimit. Vendimi për përzgjedhjen e saj nuk është marrë ende por me gjasa nga qëndrimet e mbajtura deri më tani, kjo do të jetë fleta e miratuar nga kreu i KQZ Ilirjan Celibashi. Në mbledhjen e mbajtur mesditën e sotme, Celibashi tha se një fletë e tillë me emra krijon lehtësi për votuesit ndryshe nga ajo me numra.
Por kjo fletë ndan palët në tryezë. Partia Demokratike dhe LSI janë dakord për fletën me emra, ndërsa PS kërkon që kandidatët të identifikohen me numra. Sipas përfaqësuesit të PS, Eridjan Salianji, kjo fletë votim me emra shkakton vonesa në votim dhe numërim, duke vonuar procesin dhe duke rrezikuar shëndetin e votueseve në kohë pandemie. PS ka njoftuar zyrtarisht se do ta ankimojë në KAS, fletën e votimit me emra në rast se ajo do të marrë “OK” nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve./Burimi: abcnews.al