Secondary Adv

Bankat rriten fitimin ne 2021: 28 per qind me shume ne vetem dy muaj

Sektori bankar e mbylli dymujorin e parë të vitit me një fitim neto në vlerën e 3.17 miliardë lekëve.

 

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se fitimi i sektorit bankar është rritur me 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Fitimi për periudhën është gjithashtu më i lartë krahasuar me mesataren e dekadës së fundit, çka tregon një fillim viti në përgjithësi pozitiv për sa i takon performancës financiare. Kthimi nga kapitali, mesatarizuar me bazë vjetore, për shkurtin ishte në nivelin 11.59%, në nivele të përafërta me janarin, por rreth dy pikë përqindje më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Edhe kthimi i mesatarizuar nga aktivet u përmirësua në 1.29%, nga 1.19% që kishte qenë një vit më parë.

 

Deri tani, përfitueshmëria e sektorit bankar është prekur në përmasa të kufizuara nga kriza ekonomike që solli pandemia e Covid-19. Falë masave të përkohshme të aplikuara nga Banka e Shqipërisë, raporti i kredive me probleme është i stabilizuar që prej fillimit të krizës. Kjo ka lehtësuar vazhdimin e kreditimit të ekonomisë, duke shtuar vlerën e aseteve që sjellin të ardhura në formë interesash dhe duke ndikuar pozitivisht performancën financiare të bankave. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, sektori bankar e mbylli vitin e kaluar me një fitim neto në vlerën e 16.9 miliardë lekëve, në rënie me 15.2% krahasuar me një vit më parë.

 

Ulja e fitimit neto erdhi kryesisht nga rritja e ndjeshme e provigjioneve për kreditë me probleme. Në pritje të një përkeqësimi të cilësisë së portofolit për shkak të krizës, bankat kanë mbajtur një qëndrim të kujdesshëm dhe kanë shtuar shpenzimet në formën e fondit rezervë për humbjet nga kreditë. Paralelisht, të dhënat paraprake sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS) treguan se fitimi i sektorit për vitin e kaluar ishte rreth 14 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel me vitin 2019.

 

Pjesa më e madhe e bankave janë fitimprurëse, madje një pjesë e tyre edhe i rritën fitimet krahasuar me vitin 2019. Treguesi mesatar i mjaftueshmërisë së kapitalit në fund të vitit 2020 ishte 18.6%, disa pikë sipër kërkesave minimale rregullatore. Bankierët mendojnë se një rimëkëmbje e shpejtë e ekonomisë gjatë vitit 2021 do të bëjë që pasojat e pandemisë për sektorin bankar të jenë minimale dhe të kufizuara në kohë. Shumica e projeksioneve mbështesin një kthim të rritjes ekonomike pozzitive këtë vit, pas rënies me rreth 3.3% për vitin 2020./Burimi: Monitor


Më të lexuarat